TIRANË- Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, i ftuar në emisionin “90 minuta” në ABC News, tha se në 5 vjet që është në krye të këtij institucioni, Shqipërisë i kanë ardhur mbi 800 medalje olimpike për të rinj dhe për të rritur.
Gjatë diskutimit në studio, Ylli theksoi se Shqipëria e ka përmirësuar ndjeshëm klimën e trajtimit të sportistëve.
Kjo tha ai dëshmohet me faktin se sportistët nuk po largohen siç ka ndodhur në të shkuarën, por ata zgjedhin të përfaqësojnë me dinjitet ngjyrat kuqezi në garat respektive.
“Shqipëria në këto pesë vite, që unë jam në krye të lëvizjes olimpike i kanë ardhur Shqipërisë mbi 800 medalje për të ri dhe për të rritur për sportet olimpike, sepse nuk është vetëm meritë e Komitetit Olimpik, por është meritë e trajnerëve, meritë e federatave, por është dhe meritë e ligjeve të mira që janë bërë në Parlament, ku Shqipërisë nuk i ikin më sportistë për të garuar me flamuj të tjerë siç na kanë ikur mbi 38 medalje olimpike dhe botërore që kanë bërë për flamuj të tjerë, por rrinë dhe bëjnë me dinjitet për vendin e tyre, sepse është bërë ligji i shpërblimeve, i siguracioneve, ligji i gradave, shpërblimet për çdo medalje”, tha ai.
Me tej, kreu i KOKSH u ndal dhe tek ligji i sponsorizimeve dhe rikthimi i basteve sportive.
Ai u shpreh se në fund të këtij viti të dyja çështjet priten të kalojnë për miratim në Parlamentin e Shqipërisë.
“Unë mendoj se në fundi të këtij viti dhe bastet dhe ligji i sponsorizimit mendoj se do kalojnë përfundimisht. Po mbarojnë dëgjesat publike, tavolinat e rrumbullakëta, i ka shkuar federatave, janë bërë dëgjesat dhe pastaj Parlamenti do t’i vendosë vulën.”, shtoi ai./abcnews.al


