Teuta shet Sherif Kallakun te Lokomotiva Zagreb. Mesfushori, autor i 14 golave këtë sezon, firmos për tre vite dhe do të luajë në Kroaci. Atje ai do të kërkojë më pas të bëjë hapin e madh. Vetë trajneri Edi Martini, i pranishëm dy ditë më parë në “Pressing” në ABC News, tregoi se mesfushori ka refuzuar paga më të mira, veç për t’i marrë shkallët një e nga një.
Tashmë janë zbuluar edhe detajet e marrëveshjes mes klubeve dhe në arkat e klubit të Teutës do të shkojnë 150 mijë euro, sikurse raporton Supersport. Durrsakët do të ruajnë edhe të drejtën e 10 për qind të kartonit, në mënyrë që të përfitojnë nga një shitje e radhës e mesfushorit të Shqipërisë U21.
Për Kallakun ky ishte sezoni i tij i tretë në Superiore. Fillimisht ai luajti në elitë me Laçin, madje duke debutuar me një gol kundër Partizanit. Më pas kaloi te Teuta dhe në sezonin e dytë me durrsakët u kthye në një lider dhe shumë vendimtar për skuadrën e tij, që siguroi pjesëmarrjen në kupat e Europës. /abcnews.al