11 zbulimet e kampionatit, në Kroaci mahniten nga dy shqiptarë

schedule15:58 - 29 Korrik, 2020

schedule 15:58 - 29 Korrik, 2020

Lokomotiva e Zagrebit i ka befasuar të gjithë në Kroaci këtë sezon, ndërkohë që kanë spikatur edhe lojtarët shqiptarë që luajnë me këtë skuadër. Myrto Uzuni dhe Lirim Kastrati janë shitur dhe do të lënë një “gropë” të madhe në skuadrën kroate.

Gjithsesi drejtuesit do punojnë t’i zëvendësojnë ata më së miri. Këtë sezon, zbulimet e Lokomotivës janë Jon Mersinaj dhe Enis Çokaj. Mbrojtësi dhe mesfushori kishin mundësinë të luanin një vit më parë me Laçin në Superiore dhe këtë sezon u kthyen në titullarë të rëndësishëm për Lokomotivën.

 

Formacioni i zbulimeve te sezonit

Të dy janë përzgjedhur nga “24sata.hr” në formacionin e zbulimeve  të sezonit. Një vlerësim pozitiv, që tregon edhe pse trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, po i vëzhgonte me kujdes, madje u kish dërguar ftesë për miqësore e marsit që u anuluan.

Verën e shkuar në Kroaci kaloi edhe Francesco Tahiraj, pasi kishte shkëlqyer në Slloveni me Aluminiji. Me Hajduk Split gjërat nuk kanë shkuar mirë, pasi vlonjati ka pasur pak hapësira. “Në 12 ndeshje asistoi tre herë, por përveç shpejtësisë nuk tregoi ndonjë cilësi tjetër të lartë”, shkruhet mes të tjerash në vlerësimin që “24sata.hr” bën për të. Më poshtë ajo që shkruhet për dyshen Mersinaj-Çokaj, dy prej surprizave të sezonit.

 

Francesko Tahiraj, Hajduk Split

MERSINAJ – Tomic e dinte se kishte diçka tek djaloshi nga Tirana. Mersinaj ka qenë pjesë e Lokomotiva Zagreb për dy vite, për së pari i duhet të kalonte të forcohej te Laçi në Shqipëri. Në dhjetë ndeshjet e para luajti në tre prej tyre dhe vetëm një e nisi si titullar. Trajneri nga Sibenik nuk donte që Mersinaj të digjej nga rezultatet e dobëta të fillimit të sezonit. Shpejt u bë pjesë e ekipit, bëri pesë ndeshje me Shqipërinë U21 dhe më pas u bë titullar i përhershëm krah kapitenit Denis Kolinger në qendër të mbrojtjes.

ÇOKAJ – Një tjetër shpikje, prodhim i dyshes Besnik Prenga-Goran Tomic. Ai mbërriti para dy vitesh nga Shkëndija e Tiranës, u rrit te Laçi dhe në fillim të sezonit mori çelësat e mesfushës te Lokomotiva. Çokaj arrin ta nxjerrë skuadrën përpara me topa të gjatë dhe ka një gjuajtje shumë të mirë. Këtë sezon ai shënoi tre gola dhe asistoi një herë, në 34 ndeshje që u aktivizua. Është e panevojshme të thuhet se ai u bë një lojtar i Shqipërisë U21. /abcnews.al,