Luan Shatku dhe Agim Lahi janë vlerësuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Dy basketbollistët e njohur, pjesë edhe të kombëtares shqiptare, kanë spikatur në vitet që luanin dhe kanë dhënë një kontribut të madh. Shatku e ka nisur karrierën te Vllaznia, për të luajtur më pas edhe me Partizanin. Edhe Lahi ka qenë pjesë e këtyre dy skuadrave, përveçse me 17 Nëntorin dhe Studentin.
POSTIMI I METËS – “Përherë nder dhe kënaqësi të vlerësoj personalitete të shquara të cilët me punën, talentin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme të tyre kanë ngritur lart vlerat tona kombëtare dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin dhe në shoqërinë shqiptare, duke u kthyer në burim frymëzimi për brezat e rinj.
Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e basketbollit shqiptar, duke përfaqësuar denjësisht fanellat e ekipeve të tyre dhe flamurin kuq e zi në arenat ndërkombëtare, dekorova dy sportistë të mëdhenj, intelektualë të dalluar e qytetarë shembullorë, Luan Shatku dhe Agim Lahi.
Luan Shatku dhe Agim Lahi përfaqësojnë dy personalitete të shquara, jo vetëm në fushën e sportit por edhe dy pedagogë të nderuar me kontribute të shkëlqyera intelektuale.
Mirënjohje për gjithçka i kanë dhënë sportit dhe shoqërisë shqiptare, si dy modele të shkëlqyera të profesionalizmit, kulturës dhe angazhimit qytetar”, shkruhet në postimin bërë në faqen e presidentit Ilir Meta. /abcnews.al