Ceremonia e titullit kampion dhe e kupës, Tirana dhe FSHF me njoftime

schedule14:32 - 28 Korrik, 2020

schedule 14:32 - 28 Korrik, 2020

Titulli kampion i jepet nesër Tiranës, për të 25-ën herë. Bardheblutë triumfojnë pas 11 vitesh dhe fatkeqësisht nuk do të mund të festojnë me tifozët e tyre, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Klubi bardheblu ka dalë me një njoftim dhe bën me dije se nuk do të ketë asnjë organizim për titullin, për momentin.

“Të mërkurën datë 29/07/2020 përballja e fundit e kampionatit KF Tirana- KF Bylis. Tirana zbret ne fushë si kampione e vendit për sezonin 2019-2020 në ditëlindjen e saj të 100-të. Duke marrë shkak nga situata e pazakontë e pandemisë COVID-19, të gjitha organizimet e menduara për festën e përbashkët të këtij viti jubile do të zhvendosen në një moment te dytë me shpresën se kjo situatë do të përfundojë.

Klubi i Futbollit Tirana njofton se ndeshja do të zhvillohet në “Air Albania” në orën 19:00 pa praninë e tifozëve, sipas protokolleve përkatëse dhe rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë”, shkruan klubi bardheblu në faqen zyrtare në “Facebook”.

QËNDRIMI I FSHF – Edhe FSHF ka dalë në me njoftim në lidhje me ceremonitë e shpërndarjes së trofeve: “Federata Shqiptare e Futbollit është duke përgatitur ceremonitë përmbyllëse të sezonit 2019/20. Një sezon i paprecedentë e që u ndërpre në fillim të muajit mars për shkak të shpalljes së pandemisë Covid-19, për të rifilluar pas shumë vështirësive më 3 qershor.

Federata ia doli mbanë që të garantonte zhvillimin e rregullt të ndeshjeve si edhe sigurinë shëndetësore të të gjithë pjesëmarrësve. Në përfundim të ndeshjes KF Tirana-KF Bylis, që luhet të mërkurën (29 korrik, ora 19:00) në stadiumin “Air Albania”, do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të titullit kampion, që këtë edicion u fitua nga klubi i Tiranës.

Ndërsa, më 2 gusht do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, KF Teuta-KF Tirana. Edhe kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 20:00. Duke qenë në kushtet e pandemisë, siç dihet ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve dhe ceremonitë e trofeve do të jenë disi të veçanta këtë herë.

Federata e Futbollit është kujdesur dhe ka marrë masa që fituesve të trofeve t’u rezervohet ceremoni sa më dinjitoze dhe të respektohen siç u takon, por njëkohësisht është fokusuar edhe te zbatimi i protokollit shëndetësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!