George HW Bush shtrohet në spital

schedule08:53 - 24 Prill, 2018

schedule 08:53 - 24 Prill, 2018

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George H.Ë. Bush, është hospitalizuar në Houston për shkak të një infeksioni, menjëherë pas funeralit të bashkëshortes së tij Barbara.

Zëdhënësi i ish presidentit, Jim McGrath, shkroi në rrjetin twitter se 93 vjeçari Bush po “u përgjigjet trajtimeve dhe duket se po shërohet”. Ai është pranuar të dielën në spitalin Methodist të Houstonit, pas një infeksioni që u përhap në gjak, tha zoti McGrath.

Barbara Bush, u varros të shtunën në një ceremoni në të cilën morën pjesë i shoqi, dhe ish presidentët, Bill Clinton, Barack Obama, George W. Bush dhe bashkëshortet e tyre si dhe zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Bushi plak, përdorë një karrocë dhe një skuter elektrik për të lëvizur për shkak të sëmundjes së Parkinsonit dhe i është nënshtruar trajtimit në spital disa herë gjatë viteve të fundit për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

George Herbert Walker Bush, shërbeu si presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1989 deri në vitin 1993.

I lindur më 12 qershor të vitit 1924, në Milton të Massachusettsit, ai shërbeu edhe si ligjvënës, drejtor i CIA-s dhe nënpresident i Ronald Reaganit. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!