Dosja 339, SPAK lëshon 22 urdhër arreste, mes tyre funksionarë lokalë

schedule08:35 - 28 Korrik, 2020

schedule 08:35 - 28 Korrik, 2020

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka lëshuar 22 urdhër arreste për dosjen e shumëpërfolur “339”, e cila ka të bëjë me vjedhjen e votave, laboratorin e kokainës në Has dhe një sërë çështjesh të tjera.

Urdhër -arrestet janë lëshuar me kërkesë të SPAK.

Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al, në mesin e urdhër arresteve janë edhe disa zyrtarë lokal si dhe persona të tjerë të cilët janë të implikuara në një nga çështjet e sipërpërmendura.

LEXO: Ekskluzive/ Krimet e Rënda sekuestrojnë materialet zgjedhore të 2017 për Shijakun

Mësohet se jo të gjithë urdhrat janë arrest me burg. Në mesin e tyre ka vendime me arrest shtëpie, por edhe detyrim paraqitje.

Ky operacion është zhvilluar gjatë orëve të natës, në Tiranë dhe Durrës, ndërsa për këtë dosje ka patur edhe më herët të arrestuar.

“Dosja 399” është ndarë në disa fraksione ku po hetohet trafiku i drogës dhe shitblerja e votave.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim një nga fraksionet e dosjes së famshme 339.

Dosja me 24 të pandehur,  bën fjalë për anëtarë të grupit të Avdylajve të Shijakut, si dhe të dyshuarit për laboratorin e drogës në Brenog të Hasit.

Vendimi u mor nga gjykatësja Irena Gjoka, e cila në prill ia ktheu dosjen prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen për një sërë veprash penale mes të cilave “Trafik i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pastrim parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Prokurorisë, ata janë përfshirë në role të caktuara në trafikim të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si edhe për përgatitjen e heroinës në laboratorin e ndërtuar në fshatin Brenog të Hasit.

Laboratori u zbulua në sajë të operacionit “VolVo 4”, në tetor 2018, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme heroine.

Laboratori ishte ngritur në një zonë të thellë malore, brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stalla për bagëtitë.

Sipas hetimeve ka rezultuar se, ideatori i ndërtimit të laboratorit dyshohet se është biznesmeni nga Tirana Admir Hoxha, që është ende në kërkim./abcnews.al