Barcelona ka vendosur prej kohësh të shesë Philippe Coutinhon dhe po pret ofertën e duhur për ta lënë të lirë. Braziliani, i cili mbylli huazimin te Bayern Munchen, nuk bën më pjesë në planet e klubit katalanas.
Interesimi për 28-vjeçarin nuk mungon dhe ai do të rikthehet në Premier League, aty ku shkëlqeu me Liverpool (2013-2018). Sport.es raporton se tre klube janë të interesuara për lojtarin ofensiv: Arsenal, Tottenham dhe Leicester City.
Problemi është që asnjë nga këto skuadra nuk do të garojë në Champions League sezonin e ardhshëm, kompeticion ku Coutinho preferon të luajë. Gjithsesi, klubet angleze po përgatisin ofertat e tyre dhe shpresojnë të bindin Barcelonën dhe vetë lojtarin. /abcnews.al