Trajneri i Tiranës, Emmanuel Egbo, përveçse trajneri i parë afrikan që fitoi titullin në një kampionat europian, do të jetë trajneri i parë afrikan që do të drejtojë një ekip në Champions League. Bardheblutë do të nisin shumë shpejt aventurën e tyre europiane, ku do t’i duhen të kalojnë katër ture për të luajtur në grupet e Championsit. Nigeriani, në një intervistë për “BBC”, tregon eksperiencën e tij në Shqipëri si dhe problemet me racizmin në vendin tonë.
“Racizmi ekziston në Shqipëri. Ka shumë persona që nuk dëshironin që unë t’a fitoja titullin kampion për shkak të ngjyrës time. Madje, në një ndeshje disa tifozë hodhën një banane drejt meje dhe zyrtarët e ndeshjes nuk bënë asgjë. Ne luanim jashtë dhe as policia nuk bëri asgjë, pasi kishin frikë nga tifozët.
Një herë, teksa po hipja në autobusin e qytetit, dy persona m’u drejtuan: ‘Dukesh sikur je anëtar i Al-Qaeda‘. Ok, mbaruat? jua ktheva unë me një shqipe të rrjedhshme dhe ata mezi prisnin te hapej toka dhe te zhdukeshin nga faqja e dheut”, deklaron tekniku i Tiranës, i cili vazhdon edhe më tej.
“Miqtë e mi afrikanë më thanë: ‘Ti s’e ke idenë se çfarë ke bërë për ne me shpalljen kampion Shqipërie. Është njësoj si në rastin kur Obama u shpall president i SHBA’. Kështu ju duket atyre.
Sigurisht nuk ishte aspak e lehtë, pasi në nëntor kishim shumë probleme. Më pas arritëm të fitonim 20 në 23 ndeshje dhe ja ku jemi sot, kampionë të Shqipërisë. Më vjen shumë keq që ne nuk na jepen mundësitë e barabarta si me njerëzit me ngjyrë të bardhë. Nëse shikojmë në Premier League, nuk ka asnjë trajner me ngjyrë. Ne kërkojmë vetëm barazi,” përfundon Egbo. /abcnews.al