“Më shihnin sikur kisha zbritur nga qielli”, historia e Egbo mes dashurisë dhe racizmit

schedule08:33 - 27 Korrik, 2020

schedule 08:33 - 27 Korrik, 2020

Emmanuel Egbo është njeriu më i dashur për tifozët e Tiranës. Nigeriani, i cili ka luajtur e fituar edhe si portier me bardheblutë, mori drejtimin e skuadrës kryeqytetase dhjetorin e kaluar, zhvilloi një punë fantastike dhe ia doli të fitonte titullin kampion me skuadrën e tij.

Ai ishte i ftuar në emisionin “ABC-ja e Mëngjesit“, aty ku preku disa tema, nga ardhja në Shqipëri në vitin 2001, puna si portier, trajner portierësh, zv trajner dhe trajner i parë, e deri te gjërat që i kanë bërë përshtypje nga vendi ynë, racizmi, besimi i tij i fortë dhe respekti i vlerësimi nga populli bardheblu.

Emri im është Emmanuel Egbo. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 2001, kur president ishte El Sayed. Kam punuar si zv trajner dhe trajner i portierëve. Kam marrë të gjitha licencat e trajnerëve. Kam qenë si trajner i parë i Bylis, më pak kalova te Tirana si zv trajner dhe trajner portierësh.

Kam punuar edhe si trajner provizor, kur janë shkarkuar trajnerë të Tirana, kam drejtuar nga 4-5 ndeshje, jam mësuar duke stërvitur ekipin e parë. Kam marrë licencimin, ky është pasioni im.

Jam gjithmonë me këmbë në tokë, nuk kam ndryshuar, jam njeri shumë i thjeshtë, jam njeri që mendoj vetëm të punoj. Jam tirons i vjetër dhe afrikan i vjetër. Shqipëria? Nuk kisha dëgjuar për këtë vend.

Isha në Egjipt, El Sayed ishte president i një klubi atje dhe ai më solli këtu. Nuk e kisha menduar që do të qëndroja kaq gjatë. Erdha ta përdor Shqipërinë si trampolinë, por mbeta këtu. Më kanë bërë përshtypje shqiptarët. Janë si familje, shtëpia ime e dytë, kultura është e ngjashme me atë nigeriane.

Si martesat, marrëdhëniet familjare, kujdesi për njëri-tjetrin. Jam i martuar, nusen e kam nga Filipinet. Kemi tre vjet që jemi martuar dhe po presim një fëmijë tani. Kam që në 2014 që kam marrë nënshtetësinë shqiptare. Po, votoj. Nuk jam njeri politik. Kur të jenë zgjedhjet, do votoj për atë që mendoj se do bëjë punë.

Tifozët? Kam qenë gjithë kohës i respektuar nga tifozët e Tiranës. Kam dhënë maksimumin gjithmonë për ekipin. Kam pasur respekt, nga Tirona Fanatics dhe tifozët e Tiranës. Kanë thirrur emrin tim edhe kur kam qenë pjesë e Bylis. Kam lënë gjurmë te Tirana, kam fituar kampionate dhe kupa.

 

Emmanuel Egbo

Kam lënë një përshtypje tek ata, prandaj kanë respekt maksimal te mua. Besimi? Besoj shumë te Zoti. Pa të nuk mund të jetojmë, ai na jep frymëmarrje. Është një mrekulli çdo ditë që zgjohemi, e falënderoj për gjithçka. Zoti është në vendin e parë.

Ishte e lehtë, Zoti na drejtoi në suksesin e Tiranës. Pa hirin e Zotit brenda, asgjë nuk shkon perfekt. Kemi dhënë maksimumin dhe ai na ka zgjidhur punë gjithmonë. Ka disa ndeshje që kemi fituar, e kemi përmbysur rezultatin dhe lojtarët s’e kanë shpjeguar dot se si ia kemi dalë në disa raste. Zoti na ka ndihmuar, kudo që shkoj ai vjen me mua.

Përshtypje nga Tirana? Mbaj mend vitin 2001, jam befasuar shumë duke parë shumë njerëz, më shihnin sikur kisha zbritur nga qielli. Isha ndër njerëzit e parë me ngjyrë. Aty kuptova që Shqipëria kishte qenë e mbyllur. Mendoj se nuk ishte racizëm, ishte injorancë, njerëzit nuk e dinin, kishin kaluar kohë të vështira.

Tani është ndryshe, mentaliteti ka ndryshuar, kanë dalë jashtë dhe kanë parë kultura të tjera. Kam qenë në shumë dasma tiranase. Kam qenë kur u martua Fortuzi, Sina, Pinari, Halili. Dasmën time e bëra këtu, një miks midis dasmës tiranase, nigeriane dhe filipinase. Kishte edhe këngë shqiptare në dasmën time.

 

Bardheblutë duke festuar fitoren në derbi

Normal që u luajt edhe kënga e Tironës, nuk ka shans të bëhet dasmë pa këngën e Tironës. Në fillim kisha një marrëdhënie me një vajzë tiranase, por nuk funksionoi. E ndërpremë dhe unë vazhdova rrugën time.

Kam luajtur me Deden, Memën, Mërkoçin, Fortuzin, Dabullën, Patushin, Sinën, Alimehmetin. Të gjithë më kanë telefonuar dhe më kanë uruar për titullin. Ka meritë presidenti, stafi teknik, stafi mjekësor, lojtarët që kanë dhënë maksimumin e deri te punëtori i fushës. Është një ndjesi e veçantë, është një bekim për mua dhe skuadrën fitimi i kampionatit.

Shpresojmë të marrim edhe Kupën e Shqipërisë, është 100-vjetori i klubit. Është një objektiv që e kemi vendosur. Do jetë diçka e veçantë për lojtarët dhe klubin nëse e marrim Kupën. Nuk e nënvlerësoj Teutën, por Tirana është klubi më i madh në Shqipëri. Do mbesim si legjenda nëse ia dalim, këtë kam tentuar t’i fus në mendje lojtarëve.

Nuk pi alkool, nuk përdor gjizë. Ushqimi në Nigeri është pak ndryshe. Nuk i përdorim shumë këto gjëra. Jeta e natës? Kam qenë njeri që kam mbajtur shumë regjim. Trupi është mësuar, fle herët dhe zgjohem herët.

Shkoj në palestër, trajneri duhet të stërvitë vetën në fillim, pastaj lojtarët. Në lagjen ku banoj kam shumë mikpritje, njerëzit janë të dashur. Të gjithë shqiptarët kanë qenë si familja ime e dytë. Futbolli është pasioni im. Po mendoj ta hap në Nigeri. Nuk ka shumë portierë në qarkullim.

Lika dhe Hoxha janë më të mirët, por janë në moshë. Sherri eci në fillim, por ka pasur luhatje. Deri diku është edhe Stivi Frashëri. E kam bërë miks, kam stërvitur ekipin dhe portierët. Jam i bekuar që Lika është moshë e madhe dhe më ka ndihmuar. I jap programin dhe ai më ka ndihmuar.

 

Bardheblutë fituan titullin e 25-të në histori

Portieri më i mirë shqiptar? Ilion Lika ka qenë te Dinamo, ishte 19-20 vjeç, ka vazhduar deri sot. Është një profesionist që duhet marrë shembull nga të rinjtë. Është 40 vjeç, por nuk e beson që është aq kur e sheh se si stërvitet. Është tip që mban regjim, mund të vazhdojë edhe 2-3 vjet si Buffon.

Mendimet më vijnë në shqip. Lexoj dhe shkruaj shqip. Kam shumë vullnet, kudo që kam luajtur kam dashur ta mësoj gjuhën. Kam mësuar edhe arabisht kur isha në Egjipt. Dua të flas sa më shumë gjuhë. Ka disa fjalë që nuk i shqiptoj, nuk është gjuha e nënës. Si fjala dhe, ose fjalë të tjera që nuk i shqiptoj dot.

Dialekti i Tiranës? Ça bone, kështu gjërash pak a shumë. E kam thënë shpesh, ka miliona njerëz shqiptarë që janë dashamirës. Ka njerëz të mirë por edhe të këqinj, njësoj si në Nigeri. Një njeri me ngjyrë si unë mund të shpjegojë racizmin. Mund të jetë 5%, 20%, është për t’u diskutuar. Normalisht që ka racizëm në Shqipëri. Do gënjeja nëse thoja që nuk ka.

Kam pasur shumë mundësi, por nuk e tregoj se çfarë ka ndodhur, si në rrjetet sociale dhe në rrugë. Më kanë hedhur banane, më kanë pështyrë në ndeshje. Janë një pjesë e vogël, por shumica e shqiptarëve janë të mrekullueshëm.

Frekuentohem me afrikanët e tjerë që jetojnë këtu, i japim këshilla njëri-tjetrit, e ndihmojmë njëri-tjetrin. Si shqiptarët kur shkojnë jashtë shtetit, janë vëllezër të gjithë, pavarësisht se mund të jenë nga Velipoja, Ballshi apo Tirana. Edhe ne njësoj, rrimë së bashku, bisedojmë dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin.

Fëmija? Do pres, nuk e di se çfarë gjinie është. Çfarë të japë Zoti, atë do e marrim. Kurrë mos thuaj kurrë, nuk e di ku mund të vazhdojë karriera. E di Zoti, edhe nëse lëviz, Shqipëria është si vendi im i dytë. Më shumë kam jetuar këtu se në Nigeri.

Kombëtarja e Shqipërisë? I kam parë shumicën e ndeshjeve, e kam kënduar edhe himnin. E di himnin shqiptar. Duhet ta dish historinë, himnin, liderët politikë, kur merr nënshtetësinë e atij vendi. Bebi? Do i vë emër të krishterë“, përfundon Egbo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!