Fitorja e sotme në Friuli kundër Udineses, e shpall Juventusin kampione Italie. Ky do të jetë titulli i 36-të në histori për bardhezinjtë dhe i nënti radhazi. Drejtori sportiv i klubit italian, Fabio Paratici ka folur shkurt për Sky Sports, aty ku ndalet te Douglas Costa (mund të largohet nga Juventusi), ndryshimi që ka sjellë koronavirusi, titulli kampion dhe mentaliteti i fortë i “Zonjës së Vjetër”.
“Douglas Costa është një lojtar i jashtëzakonshëm, është një ndër më të fortët në Serie A dhe në panoramën botërore. Ka pasur disa probleme fizike, por trajneri e ka menaxhuar shumë mirë. Pandemia e ka ndryshuar futbollin, karantina ishte e vështirë.
E kuptuam menjëherë që gjërat në futboll nuk do të ishin si më parë. Titulli? Po arrijmë rezultate fantastike, njerëzit që merren me sport e dinë se sa e vështirë është të fitosh, të vazhdosh të fitosh dhe të fitosh përsëri pa pushim.
Ndoshta do e kuptojmë pas 20 viteve atë që kemi arritur. Jemi të mësuar me fitore, Juventusi është mësuar me trofe. Është kënaqësi të kesh këtë përgjegjësi dhe presion për të fituar“, deklaroi drejtori sportiv i bardhezinjve. /abcnews.al