Pak pas kërkesës së 15 kryebashkiakëve amerikanë për mos dërgimin e agjentëve federalë në qytetet e drejtuara nga ata – pjesa më e madhe demokratë, presidenti amerikan konfirmoi se agjentët do të dërgohen për të ndaluar valën e dhunës në zonat që sipas tij kanë drejtues të paaftë dhe të marrë peng nga e majta ekstremiste.
“Kjo derdhje gjaku duhet të përfundojë. Do të dërgojmë agjentë federalë në Chicago dhe Albuquerque , përvec se në Kansas City, ku ndodhen tashmë. Me këtë mesazh në profilin e tij në twitter Donald Trump konfirmoi nisjen e “Operacionit Legjendë”, një iniciativë anti-krim i propozuar nga prokurori i përgjithshëm i Shteteve të bashkuara të Amerikës William Bar.
Programi parashikon vendosjen e agjentëve federalë për të ndihmuar policinë vendore në luftën kundër asaj që departamenti amerikan i drejtësisë e ka cilësuar si një valë kriminaliteti të dhunshëm që në muajt e fundit dhe si pasojë e emergjencës Covid-19, por dhe vrasjes së afro-amerikanit Geoge Floyd, ka shkaktuar kaos në shumë qytete. Vetëm një ditë më parë në Chicago 14 persona u plagosën nga të shtënat me armë gjatë një funerali.
Trump u shpreh se detyra e tij si president është të mbrojë amerikanët, duke u përplasur në këtë mënyrë me kryebashkiakë dhe autoritete vendore që sipas tij iu ka rrëshqitur situata nga duar. Trump i cilësoi kryebashkiakët si ekstremistë në drejtim të qyteteve ku nuk ka më ligje; pengje të së majtës radikale që do të reduktojë fonde dhe të zhdukë policinë. Policinë që kreu i shtëpisë së bardhë theksoi se e falënderon dhe e nderon.
Trump është kundër reduktimit të fondeve të policisë dhe një pjesë e madhe e popullsisë e mbështet. Vetëm 40 për qind e amerikanëve – sipas një sondazhi të Uashington Post mbështet reduktimin e fondeve për agjentët dhe zhvendosjen e tyre tek shërbimet sociale. Presidenti amerikan konsideron këtë temë një pikë force të rëndësishme, në të cilën mbështetet për rizgjedhjen si president në një fushatë elektorale që aktualisht e sheh prapa demokratit Joe Biden i cili u shpreh se Trump është racisti i parë i zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë.
Pak para deklaratës së Trump, 15 kryebashkiakë amerikan me anë të një letre të përbashkët kërkuan tërheqjen trupave nga Portland, Oregon, dhe anulimin e planit të Shtëpisë së Bardhë për të dërguar para ushtarakë në qytete të tjera demokrate. Ata e cilësojnë përpjekjen e Trump për të dërguar agjentë federalë pa miratimin e autoriteteve vendore si një abuzim me pushtetin. /abcnews.al