Vllaznia luan kundër Partizanit në fundjavë, sfidë shumë delikate për ekipin shkodran, që synon medoemos t’i largohet vendit të tetë. Sponsori i skuadrës, Alban Xhaferri, ka nisur me premiot te Vllaznia dhe këtë gjë, e konfirmon faqja zyrtare e klubit kuqeblu.
Njoftimi i Vllaznisë:
“Në prag të ndeshjes me Partizanin, pikërisht në seancën stërvitore të pasdites së sotme, kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Bashkisë, zj. Voltana Ademi si dhe sponsori i skuadrës, z. Alban Xhaferi. Ata kanë shfrytëzuar këtë moment për të motivuar skuadrën pikërisht në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm. Gjatë fjalës së tij, z. Xhaferi përgëzoi skuadrën për rritjen e nivelit të lojërave të zhvilluara nga ndeshja në ndeshje. Njëkohësisht, duke ditur rëndësinë e takimit të së premtes ndaj Partizanit, deklaroi se në rast fitoreje, skuadrës do t’i akordohet edhe një shpërblim. Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë, zj, Ademi inkurajoi stafin dhe ekipin për të vazhduar punën me përkushtim dhe duke i siguruar për mbështetje maksimale në çdo aspekt”./abcnews.al