Postoi flamurin autokton, Dua Lipa iu përgjigjet kritikëve: Dua të flas me krenari për rrënjët e mia

schedule10:49 - 22 Korrik, 2020

schedule 10:49 - 22 Korrik, 2020

Një ndër personat e parë që i dha jehonë thirrjes ndaj Apple për të përcaktuar qartë kufijtë e Kosovës në “Apple Maps” ishte dhe Dua Lipa. Pas kësaj, këngëtarja me origjinë shqiptare publikoi dhe hartën e Shqipërisë etnike, krahas së cilës shkroi edhe shpjegimin e fjalës “autokton”.

“Autokton – mbiemër (për banorët e një vendi), vendas dhe jo të ardhur nga emigrimi apo kolonitë”, shkroi Dua krahas postimit. Fotoja e Shqipërisë etnike bëri që shumë ndjekës serbë të vërshonin me komente negative duke shkruar se Kosova është Serbi. Por, pas këtyre reagimeve të shumta, ylli me famë botërore ka bërë një sqarim në rrjete sociale mbi këtë çështje.

Dua shkruan se postimi i saj nuk kishte për qëllim të përhapte urrejtje, ashtu siç e kanë interpretuar disa grupe që promovojnë përçarjen, duke shtuar se është thjesht krenare për origjinën e saj dhe se Kosova meriton në hartë vendin që i takon.

Postimi im i mëparshëm nuk kishte si qëllim të përhapte urrejtje. Më mërzit dhe më zemëron fakti që postimi im është totalisht i keqinterpretuar nga disa grupe dhe individë që promovojnë përçarjen, diçka për të cilën jam totalisht kundër!

Sa herë që publikoj për Kosovën, profili im çmendet, edhe nëse është diçka e gëzueshme si muzika apo ushqimi dhe jam përballur me një rezistencë të ashpër për idenë e një kulture autentike të Kosovës. Të gjithë meritojmë të jemi krenarë për origjinën tonë.

Thjesht dua që vendi im të prezantohet në hartë dhe të kem mundësinë të flas me krenari për rrënjët e mia shqiptare. I nxis të gjithë të jenë krenarë për origjinën e tyre dhe të dëgjojnë e të mësojnë nga njëri-tjetri. Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë. Dua.”, shkruan ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!