Basha takon Veselin: Asnjë aktakuzë nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së

schedule22:30 - 20 Korrik, 2020

schedule 22:30 - 20 Korrik, 2020

Kryedemokrati, Lulzim Basha është takuar ditën e sotme edhe me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ndaj këtij të fundit Gjykata e Hagës ka ngitur aktakuzën për krime lufte.

Në një postim në facebook, Basha thotë se të akuzuarit i janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, ndërsa agresori nuk është përgjigjur ende për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës.

Teksa thekson se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset, Basha shpreh bindjen se drejtësia do të triumfojë, dhe Kosova do të vazhdojë të konsolidohet si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike.

Postimi i plotë:

Pata kënaqësinë të bisedoj gjatë pasdites me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotin Kadri Veseli, për zhvillimet në Kosovë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe për aktakuzën e ngritur ndaj tij.

Asnjë akuzë ndaj komandantëve apo ushtarëve të UÇK-së, nuk mund ta njollosë luftën për liri dhe pavarësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova ishte viktima dhe jo agresori. E megjithatë, të gjithë të akuzuarit nga ana e viktimës, i janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, ndërsa agresori ende nuk është përgjigjur për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës.

Edhe kësaj here jam i bindur se drejtësia do të triumfojë, dhe Kosova do të vazhdojë të konsolidohet si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndamë të njëjtin qëndrim me z.Veseli se dialogu është rruga e duhur për të çuar në procesin e njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve.

Kam bindjen se udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Kosovës do të arrijnë me maturinë, guximin dhe pjekurinë e treguar deri më sot, të përballen me sfidat që ka përpara Kosova, qoftë ato që lidhen me dialogun, politikën e brendshme, çështjet ekonomike apo dhe proceset integruese të Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!