Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë aludimet se i bëhet presion për arrestimin e peshqve të mëdhenj, përfshirë Saimir Tahirin, që të jepet miratimi final për hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë me BE.
Në një intervistë me Sokol Ballën në “Vizion plus”, kryeministri tha se askush nuk mund t’i bëjë atij një presion të tillë, as në shqip e as në gjuhë të huaj, sa kohë që ai është në krye të qeverisë. Por shefi i qeverisë ka pranuar se ka pasur interesim nga të huajt, sipas tij për të kuptuar më shumë mbi këtë cështje, për shkak të baltës së propagandës, që u ka përcjellë opozita e vendit.
Rama tha se ish ministri i tij i brendshëm ëshë kërkuar të arrestohet në shkelje të plotë të kushtetutës dhe imunitetit ligjor, dy ditë pas publikimit të përgjimeve, e pa u pyetur. Nga ana tjetër, Rama tha se prokuroprët e gjyqtarët që po dalin nga sistemi falë vettingut, janë peshq të mëdhenj, pasi hyjnë tek peshat e rënda të drejtësisë.
Lidhur me rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, kryeministri tha së është një dëftesë që tregon rezultatet. Sipas tij ky do jetë viti i hapjes së negociatave, edhe pse nënvizoi se nuk dëshiron të rritë pritshmëri, pasi vendet skeptike të BE kanë dinamikat e tyre të brendshme, si dhe individë e forca që nuk e duan integrimin e Shqipërisë.
I pyetur për shpalljen non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i deputetit Tom Doshi, dikur pjesë e PS, Rama tha se ishte surprizuar dhe ishte ndjerë i keqardhur por nuk kishte më shumë informacion për arsyet. Të njëjtën keqardhje Kryeministri deklaroi edhe për aktin e njëjtë të DASH për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla. /abcnews.al