Duke iu referuar deklaratave të sotme dhe gjuhës së përdorur sot nga Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm shpjegoi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se përgjatë 6 muajve mungesë në Parlament, persona të tjerë i kanë bërë gjyqin publik.
Gjatë një lidhje telefonike, ish-ministri i Brendshëm tha se deklaratat e tij ditën e sotme nuk ishin kërcënim për askënd dhe as për Kryeministrin Edi Rama. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse deklarata e tij ishte mesazh i koduar, Tahiri theksoi se prej 6 muajsh i është bërë “gjyqi publik” nga kushdo në Parlament dhe jashtë tij, e tani i intereson të dalë e vërteta.
“S’mund të hidhni fall për arsyen pse kam shkuar unë në Kuvend apo arsyen nëse kam kërcënuar unë Edi Ramën apo këdoqoftë. E para nuk e kam në kulturë të kërcënoj, e dyta nuk e kam në mënyrën time të të bërit të gjërave t’i jap mesazhe njerëzve në çdolloj rruge përveçse të drejtpërdrejtë, e treta kam gjithë të drejtën time të flas në Parlament dhe jashtë për gjithçka kam dëgjuar përgjatë 6 muajve që kam qëndruar në heshtje. Ju kam dëgjuar dhe ju, pafundësisht më keni bërë gjyqin, siç kam dëgjuar edhe në Parlament Saliun, Lulin, kam dëgjuar këdo tjetër që më ka bërë gjyqin moral. Unë këtë nuk e pranoj. Për hir të respektit ndaj sistemit të drejtësisë, meqë unë sot jam në hetim, për hir të parimeve të mia nuk jam marrë kurrë me prokurorë dhe gjyqtarë që nga momenti kur unë jam vënë nën hetim. Por kjo nuk do të thotë që Saliu, Luli e kushdo tjetër të më bëjë gjyqin moral. Këtë unë nuk e pranoj në asnjë rast”.
Sërish ish-ministri i Brendshëm ka përdorur një gjuhë të ashpër, duke iu referuar togfjalëshit të sotëm “bir k**ve”.
“Jam i bindur që sado ta interpretoni ju, këtë që thashë unë sot e thonë njerëzit më shumë. Në qoftëse unë jam një bir nëne që kam 6 muaj duroj lloj-lloj akuzash dhe lloj-lloj shpifjesh në kurrizin tim, unë të garantoj që në popull ka mijëra djem nënash nga qeverisja e 30 viteve të bij ku***sh, vuajnë varfërinë dhe gjithçka tjetër”.
Sa i përket hetimit ndaj tij për përfshirje të dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës, Saimir Tahiri theksoi se gjatë 4 viteve të punës si ministër i Brendshëm, kultivimi i kanabisit ka qenë më i ulët krahasuar me një vit të Qeverisjes Berisha.
“Në 4 vjet kam bërë maksimumin tim me shpirt, edhe mund të kem gabuar. Mos i jepni rrugë mediokritetit duke dalë atje dhe duke thënë çdo lloj gjëje. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm sot mund ta konsiderojnë si të duan. Katër vite kur kam qenë unë në detyrë, kultivimi i hashashit ka qenë më pak se 1 vit i Berishës. Mua nuk më intereson askush dhe asgjë përveç të vërtetës. Shpresoj të vijë dita të mbyllet dhe të dalë e vërteta ime. Unë kam heshtur dhe i kam lënë rrugë drejtësisë”, tha ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një lidhje telefonike në emisionin “Opinion” në Tv Klan. /tvklan.al