Komisioni i Ligjeve ka miratuar me 17 vota pro aktin normativ për vendosjen e maskës me detyrim në ambientet e mbyllura.
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi se është parë e nevojshme vendosja e penalitetit pasi edhe pse ishte caktuar si rregull edhe më herët, ai nuk zbatohej.
Ajo tha se kjo lëvizje erdhi për shkak të shtimit të rasteve të reja por edhe shtrimeve në spital.
“Ka të bëjë me vendosjen në mënyrë të detyruar të maskës dhe vendosjen e një lloj penaliteti prej 2 mijë lekësh për ata që nuk e respektojnë. Është bërë e domosdoshme vendosja e penalitetit pasi edhe pse më herët ka qenë rregull vendosja e maskës, ai nuk respektohej.
Janë shtruar rastet e shtruara në spital dhe i atyre që kanë nevojë për kujdes intensiv. Për këtë arsye e kemi ndjerë të nevojshme që një nga masat është taksimi i detyrueshëm i vendosjes së barrierës mbrojtëse që ul rrezikun infektimit deri në 70%.
Përfshirja në akt normativ dhe vendosja e penalitetit për ata që nuk e respektojnë në ambientet të mbyllura do të çojë në frenim të pandemisë dhe një kontroll të sëmundjes”, tha Rakacolli.
Deputetja Vasilika Hysi vlerësoi vendosjen e theksit te përgjegjësia individuale.
“Ka ardhur koha për përgjegjësi individuale. Nëse një personi nuk i dhemb xhepi i vet, që nuk do të kuptojë që jeta mbrohet nga një maskë e thjeshtë që nuk kushton asgjë.
Edhe në institucionet tona kur ka njerëz që bëjnë kapriço, nuk duhet të paguajë institucioni por vetë individi”, tha Hysi.
Tashmë ky akt normativ do të votohet në Kuvend në seancën e ardhshme plenare./abcnews.al