Tjetër humbje për Bylis pas asaj 2-0 në gjysmëfinalen e kthimit kundër Tiranës. Ekipi ballshiot u mposht 0-3 ditën e sotme nga Laçi në kampionat dhe akoma nuk e ka siguruar evitimin e vendit të tetë, pozicion që të dërgon në “play-out” me njërën prej Pogradecit dhe Besëlidhjes.
Jurgen Goxha zbrit për herë të fundit në fushë me Bylis në fitoren 2-1 të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë (2 korrik). Mbrojtësi, i cili këtë sezon është shfaqur si goleador dhe “xhol” i ekipit, është pezulluar nga klubi.
Ai dështoi nga pika e penalltisë të shënonte golin e tretë kundër Tiranës, duke mos zbatuar direktivat e trajnerit Dovedan, i cili kërkoi që penalltinë (u prit nga Ilion Lika) ta godiste Ujka.
Goxha ka reaguar pas humbjes së sotme të ish-ekipit të tij, duke thumbuar në lidhje me disfatën ndaj kurbinasve dhe duke i kërkuar të mbyllin gojën kritikëve. 27-vjeçari ka postuar një foto të ndeshjes së fazës së dytë në Ballsh, sfidë që u fitua 1-0 nga Bylis me golin e tij. /abcnews.al