80 të arrestuar në tre muajt e fundit për kultivim kanabisi, mes tyre kryepleq fshatrash dhe administratorë

schedule15:40 - 19 Korrik, 2020

schedule 15:40 - 19 Korrik, 2020

Nga Xhensila Kodra

Në 3 muajt e fundit, në të gjithë vendin, Policia e Shtetit ka arrestuar mbi 80 persona të akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, ndërsa të paktën 20 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes personave që po hetohen janë edhe kryepleq fshatrash, si dhe administratorë të disa njësive administrative të ndryshme.

Kryesisht, kultivuesit e drogës synojnë sera me plastmasë, zona të pyllëzuara dhe tunele për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Përgjatë këtyre muajve, që konsiderohen si piku i kultivimit të kanabisit, policia ka vijuar kontrollet nga ajri mbi të gjithë territorin Shqiptar.

Në këto operacione, të mbështetura edhe nga Guardia di Finanza, janë përdorur helikopterë si dhe 30 dronë. Ndërsa të paktën 100 grupe efektivësh vijojnë punën në terren për të evidentuar parcelat me kanabis.

Policia e Shteti nuk ka publikuar asnjë bilanc të aksioneve antikanabis. Por ABC News mëson nga burime të policisë, se, vetëm në muajin maj të këtij viti kultivimit i bimëve narkotike është disa herë më i madh, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë.

Vetëm në Maj të këtij viti, në të gjithë territorin janë asgjësuar 17 mijë bimë kanabisi. Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri është 7 herë më i lartë.

Kryesisht, lënda narkotike mbillej në kubikë. Sipas burimeve, kultivuesit zgjedhin zonat të thella malore për kultivimin e kanabisit apo vende të mbyllura, si tunele.

Në raportin e vitit 2019 të realizuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat që ABC News disponon, ka rezultuar se vitin e shkuar janë asgjësuar 21.151 bimë kanabisi, fidanë në kubikë, si dhe bimë të thara. Numrin më të lartë e mbanin, bimët, me 19.583 të tilla.

Rritje në numër ka njohur edhe përfshirja e efektivëve në këtë veprimtari kriminale. Sipas raportit, në vitin 2019 janë arrestuar 6 punonjës të policisë nga 4 të prangosur që ka pasur në vitin 2018./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!