Cristiano Ronaldo, edhe pse 35 vjeç, ende kërkohet në merkato. Sulmuesi i Juventusit mund të jetë afrimi i madh i Newcastle United dhe Don Balon në Spanjë raporton se portugezi ka një marrëveshje drejtuesit e rinj që pritet të marrin drejtimin e “Qymyrxhinjve”. Paratë nuk mungojnë, ndërkohë që raportohet se do nënshkruhet një kontratë e vlefshme për dy vite.
Ronaldo do të ketë mundësinë e rishikimit të së ardhmes së tij pas një viti, kur edhe mund të zgjedhë të provojë të luajë në MLS. Atje sulmuesi mendon të mbyllë karrierën. I njëjti burim raporton edhe për një tjetër lajm të bujshëm dhe bëhet fjalë për një sulmues që Ronaldo e njeh mirë.
Newcastle kërkon t’i ofrojë një sfidë të re francezit të Real Madrid, Karim Benzema. Klubi anglez e ka projektuar si sulmuesin kryesor të skuadrës dhe është gati të ofrojë 50 milion euro për shërbimet e goleadorit. Një shumë e konsiderueshme, kur bëhet fjalë për një 32-vjeçar, i cili ndoshta ka nevojë për një sfidë të re pasi ka fituar çdo gjë me Realin. /abcnews.al