Hetime për Serie C dhe ndeshjet në kampionatin Primavera në Itali. Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për shkak të basteve të vendosura në ndeshjen Virtus Verona-Gubbio (në fushë ka qenë edhe mesfushori Erald Lakti, pjesë e moshave kuqezi). Në atë ndeshje mendohet se është bërë protagonist arbitri i ndeshjes, i cili në minutën e 78-të ka njoftuar për një dëmtim në kyçin e këmbës, kur Gubbio kryesonte 1-0.
Pas 15 minutash pritjeje, zyrtari ndeshjes ka menduar ta shtyjë ndeshjen për një datë tjetër, pasi në Serie C nuk ka gjyqtarë të katërt, çka do të mundësonte që i katërti të kalonte kryesor, apo një prej anësorëve të dalë arbitër kryesor. Federata Italiane e Futbollit është vënë në dijeni të fluksit të basteve të vendosura dhe ato po luheshin të gjithë kundër Gubbios, që kishte një ecuri jo të mirë prej javësh dhe normalisht kemi të bëjmë me baste logjike.
Ndërprerja pastaj është një çështje tjetër, pasi anuloi gjithë bastet dhe ka shpëtuar ata që kanë tentuar të fitojnë diçka nga ajo përballje, duke vendosur bast për fitoren e Virtus Verona. Në lojë dyshohet se është futur arbitri Luigi Catanoso, i cili tashmë po hetohet, sikurse shkruan “Repubblica”. Në fakt nuk zbulohet emri i ndeshjes, apo edhe i arbitrit, por mund të gjenden lehtësisht duke kërkuar në internet.
Prokurori i FIGC po heton gjyqtarin, i cili në fakt është bërë shpesh protagonist gjatë karrierës së tij. Kartonë të kuq të shumtë dhe penallti lumë, 14 këtë sezon në 17 ndeshje të arbitruara, ndërkohë që në një pjesë të mirë të ndeshjeve të tij ka pasur protesta të ashpra në fushën e lojës. Në gjithë këtë histori thuhet se nuk ka prova të shumta, por Prokuroria po heton. /abcnews.al