Banorët e fshatrave në Korçë prej 1 viti nën gërmadhat e shkaktuara nga 2 tërmetet

schedule12:06 - 18 Korrik, 2020

schedule 12:06 - 18 Korrik, 2020

Këto gërmadha i ka shkaktuar tërmeti. Duket sikur ai ka rënë sot. Por jo, janë pasojat e tërmetit 5. 2 ballë të 1 qershorit të një viti më parë që shembi dhjetëra banesa të fshatrave Qafëzezë, Vidohovë dhe Floq.

Por nuk përfundoi me kaq tërmeti i 1 nëntorit ju dha goditjen përfundimtare.

Një pjesë e banorëve shtëpitë ju ndërtuan, apo u restauruan, disa morën kompensim monetar.

Por ka dhe shumë të tjerë që s’kanë përfituar ende asgjë.

Kanë humbur çdo shpresë, janë kthyer në gërmadha për të jetuar duke rrezikuar jetën.

ABC News sjell pamjet që vijnë nga fshati Qafëzezë, ku disa banesa janë ndërtuar dhe përbri qëndrojnë ato që nuk i ka prekur askush me dorë.

Familja Çaushi 6 muaj qëndroi në çadër, më pas ja u morën atë, dhe janë rikthyer në banesën e shkatërruar.

Më shumë Festimi, kryefamiljari ka merak për vajzën se e ka dhe të sëmurë.

“Ndenja 6 muaj në çadër. Ma morën për vit të ri. Erdhi policia ma mori çadrën. Mirë shtëpi s’më rregulluan po dhe çadrën ma morën. Muri është spostuar. S’kam ku të vetë në zall me çadër s’mund të rri. S’kam as të ardhura”, tregon Festim Çaushi.

Është zhgënjyer nga premtimet.

“Më vjen keq për vajzën që e kam të sëmurë. Më tha kryetari i bashkisë që dhe me shpenzimet e mia një dhomë për vajzën do ta bëj. Po ku e kanë? Ku e ka Ahmetaj lekun kam lekun thotë. Rregulluan 20 shtëpi që nuk kishin nevojë që nuk banojnë këtu. Nuk e kuptoj këtë maskaradën që po bën qeveria me bashkinë. Iku një vit dhe se kanë bërë.  Më thonë po presim. Me kempin e vajzës jetoj dhe në arë punojnë gruaja me vajzat. Kryetari kur të japë fjalën ta mbajë. Më vjen keq për vajzën  e sëmurë”, thotë ai.

Të trishtuar janë dhe fëmijët e tjerë që janë gjunjëzua nga varfëria tani dhe nga frika se muret nuk do të mbajnë dhe shumë gjatë.

Të çarat e mureve i kanë bllokuar në mënyrë primitive për të ndaluar sadopak shiun që mund t’ju hyjë brenda.

“I kam zënë vrimat me rrecka”shprehet ai.

Banesa e dytë për 70-vjeçarin nga fshati Qafëzezë është kthyer një mjet fugon.

U rrëqethëm dhe u rënduam psikologjikisht kur pamë që ky zotëri fle në fugon.

“Fle këtu në furgon, që kur ra tërmeti s’kam ku shkoj”, tregon ai.

Na shoqëroi në banesën e tij që është vlerësuar e pabanueshme dhe na tregoi se prej frikës pjesëtarët familjes shpërndarë.

Mendon se banesa e tij nuk po rindërtohet se nuk ka të njëjtën bindje politike si drejtuesit vendorë.

“Na gënjejnë na mashtrojnë. Do ti bëjmë, do ti bëjmë dhe asgjë s’kanë bërë. Banesa është shpallur e pabanueshme. Unë fle në makinë. Gruaja dhe fëmijët flenë në dyqan. S’na i bëjnë se na thonë jeni të djathtë juve” shprehet ai.

Ne pyetëm dhe prefektin e Qarkut Korçë, Dhori Spirollarin në veçanti për këtë zotëri dhe na dha këtë përgjigje.

“Nuk e njoh rastin konkret po do interesohem në Bashki”.

Ndërsa për banesat e Qafëzezit dhe Floqit dhe për arsye se përse procesi i rindërtimit apo kompensimit nuk është bërë në të njëjtën kohë për të gjithë, Spirollari jep një sqarim që e lidh me pandeminë.

“Kanë mbetur ca dhe po presim që të vijë fondi se të gjitha dokumentet janë dërguar tek Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile. Në Floq vetëm një ka mbetur. Po dhe atë do e mbyllim. Pandemia ka qenë shkak që janë shtyrë. Do ndihmojë bashkia dhe biznesi”.

Ne e pyetëm prefektin dhe për familjet që nuk janë përfshirë fare në asnjë nga skemat e ndihmës pas fatkeqësive të njëpasnjëshme natyrore.

“S’janë banesat e tyre, po gjejmë mundësi që të marrin diçka”.

Edhe në fshatin Vidohovë pretendohet se zgjedhja e banesave të rikonstruktuara apo rindërtuara është bërë selektive, me bindje politike apo me mik ashtu sikurse thonë banorët e lënë mënjanë. Shumë prej tyre po vijojnë të qëndrojnë në gërmadha.

Na tregojnë dhe për lidhjet e atyre që kanë përfituar rindërtimin e banesave me pushtetarët lokalë dhe qendrorë.

“Mos shiko dihet kujt jua kanë bërë. Një në ministri një Agron ja bëri njeriut të tij. Ky Kryetari i Bashkisë ja bëri këtij këtu se e ka nip. Se bëj dot se s’kam fuqi. Kur të ngordhim do na i bëjnë” shprehen.

Ata janë të moshuar dhe të varfër. Për të jetuar mbledhin bimë mjekësore dhe nuk kanë mundësi që shtëpitë t’i ndërtojnë vetë.

“Duan votën, vota ime është e shitur. Dua burg le të më marrin të rri rehat. Shkova për lule tani erdha kam moshë unë të merrem me lule. Djersën time po hanë ata. I kam ushqyer të gjithë. Ata hanin bukë gruri unë misri. I zëntë buka ime! Shtëpinë se bëj dot”.

Një tjetër banor ka përfituar restaurim të pjesshëm por punimet nuk ishin aspak cilësore. I është marrë dhe ryshfet por një inxhinier pjesë e grupit të punës ka qenë i ndërgjegjshëm dhe ja ktheu.

“Dy tavanë më kanë bërë mua. Dhe e bënë keq i thashë ma bëj prapë. I dhashë lekë se më kërkoi për patinim. I mori lekët por më pas mi ktheu inxhinieri, ja mori atij… apo mi dha nga xhepi i vetë, nuk e di. Më kanë plasur prapë suvatë”.

Një mësuese tregon se vlerësimi që i është bërë është totalisht i gabuar për sa kohë që themelet i kanë lëvizur dhe muret i janë çarë.

“Më kanë vlerësuar vetëm me 880 mijë. Vlerë qesharake e vlerësuar lehtë. Po këtu dëmi është më i madh. Askush nuk vjen me këtë vlerë as skelën nuk e ngrenë me kaq para. Kush inxhinier e ka bërë do ketë qenë inxhinier koti. Dëmi është i madh vlera e vogël.

Ajo tregohet humaniste dhe thotë se vlera e kompensimit le të shkojë për bamirësi.

“8 qind lekë i kam falur le ti japin në një shtëpi fëmije se me kaq unë s’bëj asgjë”.

Kreu i Bashkisë të Devollit bën bilancin e përfituesve dhe më pas flet për pretendimet e banorëve të Vidohovës se përzgjedhja është bërë selektive.

“10 banesa janë ndërtuar nga e para dhe 29 janë rikonstruksione. Dhe disa kanë marrë dëmshpërblim. Janë banesa të klasifikuara para se të bëhesha Kryetar Bashkie dhe banorët përfitojnë nga bonusi i  qirasë.

Veç këtyre banorëve e dëmtuar është dhe familja Xhihani. Siç duket dhe nga pamjet shtëpia e tyre është rënuar totalisht. Kryefamiljari me lot në sy ka humbur shpresat.

“Na lanë, na lanë. Çtë bëjmë? S’kemi fuqi nuk e ndërtojmë dot vetë s’kemi fuqi”.

Për këtë familje që është goditur nga dy tërmete dhe banesa është vlerësuar e pabanueshme, kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro bën këtë sqarim:

“Në 1 qershor banesa e familjes Xhihani u vlerësua me dëmtime të pjesshme. Po pas tërmetit të 1 nëntorit doli e pabanueshme dhe u klasifikua për tu bërë e re bashkë me 20 banesa të tjera. Ku qëndron ngërçi? Ngërçi është që do presim konfirmimin e AKMC-së për të marrë fondin për tu ndërtuar”.

U larguam nga këta banorë me shpresën se jeta e tyre mund të ndryshojë nëse zyrtarët këtë herë do ta mbajnë fjalën./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!