Haxhi Kroi, sekretari i përjetshëm i diktatorit Enver Hoxha, ka lënë pas një ditar voluminoz ku janë shënuar pothuaj të gjitha ngjarjet më kulmore apo të rëndësishme të asaj kohe.
Njohur si “alter ego” i Enver Hoxhës, ditari i Haxhi Kroit nuk sjell ndonjë vlerë të veçantë, pasi është i kuruar që të fshehë të gjitha fatkeqësitë që sistemi komunist në përgjithësi dhe Enver Hoxha në veçanti i sollën shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Por gjithsesi ditari përmban të dhëna interesante të asaj kohë.
Kështu për shembull, në shënimin e kursyer të datës 17 janar 1972, Haxhi Kroi ka shkruar se “i ka dërguar shoqes Nexhmije rrogën e dyjavorit të parë të janarit. Për shokun Enver 1150 lekë dhe për të 750 lekë, gjithsej 1900 lekë”.
Shënimi interesant shërben për të kuptuar se sa paguhej në këtë periudhë numri një në hierarkinë e shtetit komunist.
Sipas një llogarie të thjeshtë, ai paguhej 1150 plus 1150 baras 2300 lekë në muaj, ndërsa e shoqja, Nexhmija, 1500 lekë në muaj.
Duhet kujtuar se në këtë kohë rrogat për popullin e thjeshtë shkonin nga 300 deri në 450 lekë në muaj për një punëtor të thjeshtë, nga 100 deri në 400 lekë në muaj për një kooperativist (në varësi të normës ditore dhe zonës bujqësore, pasi në veri të vendit kishte kooperativa ku merrej edhe 3 lekë për ditë pune, ose më pak se çmimi i një buke gruri që kushtonte 4 lekë), 500 deri në 800 lekë në muaj për një arsimtar, 800 deri në 1000 për një inxhinier të kualifikuar etj.
Po çfarë mund të blije me rrogën mujore të Enver Hoxhës?
Me dy muaj rrogë të Enver Hoxhës mund të blije një televizor, që ishte nga elektroshtëpiakët më të kushtueshëm (4000—5700 lekë).
Me rrogën vjetore të Enver Hoxhës mund të blije edhe një shtëpi modeste (çmimet e shtëpive varionin nga 20000 deri në 60000).
Në vitet e fundit të regjimit në Gjirokastër dhe në Tiranë u hapën dy dyqane ku mund të blije mallra cilësore të prodhimit të huaj, por vetëm me dollarë.
Televizorët e parë me ngjyra kushtonin 100 dollarë për copë. Në këtë kohë Banka e Shtetit e mblidhte dollarin me 7.5 lekë nga qytetarët e thjeshtë.
Të persekutuarit e regjimit komunist, që nuk guxonin ti afroheshin bankës, i këmbenin dollarët në treg të zi, në kursin 1 dollar me 5 lekë.
/abcnews.al