Tashmë nuk është më një sekret që Milani ka qenë në kontakte të vazhdueshme me ish-trajnerin e RB Leipzig, Ralf Rangnick. Siç flitet në mediat italiane, tekniku gjerman pritet të marë timonin e kuqezinjve dhe kontrollin e plotë në aspektin teknik, përfshirë edhe merkaton. Tani ka një tjetër problem për transferimin e Rangnick në Milano dhe ka të bëjë me kontratën e tij me klubin gjerman.
Sipas gazetarit Italian, Gianluca Di Marzio, RB Leipzig kërkon plot 8 milionë euro nga Milani për mbylljen e kontratës së Rangnick. Ky i fundit ka qenë drejtor sportiv tek RB Salzburg dhe RB Leipzig si dhe i ka drejtuar gjermanët në sezonet 2015-16 dhe 2018-2019.
Tashmë ai është drejtori i sportit në kompaninë e Red Bull-it dhe duke parë kontaktet e shumta mes 62-vjeçarit dhe Milanit, kjo gjë sa duket i ka irrituar drejtuesit e Red Bull dhe tashmë ato kërkojnë një pagesë kundrejt shërbimeve të tij.
Nga ana tjetër Milani po shkëlqen nën drejtimin e Piolit dhe që nga rikthimi i Seria A kuqezinjtë ende nuk e njohin humbjen. Duke parë situatën e krijuar, ka presion te drejtuesit. Gazidis mund t’ia besojë sërish stolin teknikut italian dhe në sezonin e ardhshëm. Gjithsesi vendimi final do të merret pas përfundimit të kampionatit. /abcnews.al