Togolezët festojnë me kurban kthimin e “Shën Sofisë” në xhami: Erdogani, lider i Afrikës dhe gjithë myslimanëve

schedule15:34 - 16 Korrik, 2020

schedule 15:34 - 16 Korrik, 2020

Banorët e Togos në Afrikë e kanë pritur me mallëngjim firmën e Presidentit të Turqisë Rexhep Tayyib Erdogan për rikthimin e faljeve në kishën e “Shën Sofisë” në Stamboll.

Duke e cilësuar Erdoganin si lider të Afrikës dhe gjithë botës myslimane, togolezët kanë sakrifikuar dy dhi në nder të vendimit të marrë nga presidenti turk, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Reagime të shumta në lidhje me vendimin e Erdoganit ka patur edhe në disa shtete të tjera të Afrikës dhe Azisë Qendrore, madje dhe në Shqipëri e kanë përshëndetur këtë ndryshim në Turqi duke theksuar se tani është Europa që do të kërkojë të integrohet në Anadoll dhe jo e kundërta.

Lexo edhe: Rusia mbështeti Erdoganin për “Shën Sofinë”, reagojnë ashpër mediat greke

Ndërkohë, ndryshe është pritur vendimi për ta rihapur si xhami “Shën Sofinë” në Perëndim. UNESCO i ka kërkuar Presidentit turk që të bëjë një hap pas në vendimin e tij me qëllim ruajtjen e “Shën Sofisë” si një thesar të kulturës botërore, ndërsa BE e ka cilësuar veprimin si ilegal dhe të njëanshëm.

Reagime gjithashtu ka patur edhe nga Papa, i cili u shpreh se ndjehej i prekur nga ky vendim.

“Shën Sofia” u ndërtua si Katedrale ortodokse fillimisht, por në vitin 1453 u kthye në xhami nga Sulltan Mehmeti kur pushtoi Kostandinopojën.

Deri në vitin 1934 ajo funksionoi si xhami, deri kur Ataturku vendosi ta kthejë në muze. Vendimi i fundit i Erdoganit e kthen “Shën Sofinë” nga muze, sërish në xhami. /abcnews.al