Nijas Lena do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut dhe sërish pjesë e skuadrës së Strugës. Mesfushori me eksperiencë, pas ofertës së marrë, ka vendosur të pranojë zgjatjen e bashkëpunimit dhe ka nënshkruar kontratën e re.
Lena u kthye verën e shkuar në Maqedoninë e Veriut, pas një eksperiencë në Gjeorgji, ndërkohë që për vite të tëra kishte dhënë kontributin e tij me Flamurtarin. Një sezon ai luajti me Kukësin dhe u shpall kampion.
Gjithashtu 34-vjeçari ka veshur edhe fanellën e Teutës, për gjashtë muaj. Sezonin e fundit, Lena u aktivizua në 19 ndeshje me Strugën dhe shënoi tre gola. Për trajnerin Jeton Beqiri ky është një lajm i mirë, pasi mesfushori konsiderohet pjesë e rëndësishme e ekipit, të paktën edhe për kampionatin e ardhshëm. /abcnews.al