Qe prej ditës së djeshme janë djegur mbi 3 hektarë pyje në njësinë administrative të Zejmenit në Lezhë. Zjarri që nisi pasditen e djeshme vijon ende.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar punonjës të Agjencisë se Pyjeve të bashkise Lezhë pasi ndërhyrja me zjarrfikëse është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.
Era e fortë që ka shoqëruar këto ditë rajonin e Lezhës ka favorizuar përhapjen e flakëve duke e bërë mjaft të vështirë shuarjen.
Përgjegjësi i Agjencisë së pyjeve, Artan Palushi kërkon mbështetje nga ajri si mundësinë e vetme për të shuar flakët, pasi zgjidhja tjetër mbetet vetëm shuarja natyrale e tij në momentin që do të takojë zonën malore me bimësi të ulët shumë pranë asaj që po digjet aktualisht.
Flaket dyshohet se janë të qëllimshme dhe po kryhen hetime për të identifikuar autorët e mundshëm të shkaktimit te këtij zjarri.
Palushi shprehet: “Bëhet fjalë për një vatër zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe rreth 3 hektarë. Vatra u shfaq ditën e djeshme, rreth orës 2 e gjysmë, tre. Situata është shumë e vështirë. Nuk mund të vihet nën kontroll. E vetmja mundësi për ta vënë në kontroll është ndërhyrja nga ajri që s’na takon ne..”