Vazhdon edhe ditët e sotme marrja e tamponëve në Gjykatën e Posacme për të dyshuarit me koronavirus.
Ashtu sic kanë njoftuar ekspertët e shëndetit tamponët merren për personat të cilët shfaqin simptoma të Covidit dhe me sa duket në këtë institucion dyshimet për të infektuar të tjerë vazhdojnë.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga abcnews.al ekipi i hetimit epidemiologjik të ISSH shihet teksa hyn në ambientet e Gjykatës së Posaçme.
Ditën e djeshme dy institucione të tjera në organet e drejtësisë janë prekur nga koronavirusi.
Pozitiv me Covid-19 kanë rezultuar një gjyqtar i Gjykatës së Apelit, si dhe një punonjës në Gjykatën e Lartë.
Ende nuk dihet se si ata janë infektuar.
ABC News mësoi se janë të paktën 4 punonjës të tjerë në këtë gjykatë që u është bërë tamponi, ndërsa disa të tjerë janë vetëkarantinuar në banesat e tyre.
Për këtë arsye, Këshilli i Gjykatës së Apelit Tiranë vendosi që stafi të punojë me orare të reduktuara.
Këto institucione vendosën që të zhvillohen vetëm seanca për çështjet emergjence, si masat e sigurisë, dhe jo çështjet në themel.
Edhe në Gjykatën e Lartë puna do të vijojë me staf të reduktuar.
Sakaq ambientet e institucioneve të drejtësisë, të prekura nga Covid, janë dezinfektuar./abcnews.al