Gazetat që përmes shkrimeve investigative ekspozuan skandalin e regjisorit Harvey Weinstein, por edhe ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 janë vlerësuar me çmimin Pulitzer. Kanë qenë “New York Times” dhe “The New Yorker” që kanë marrë çmimin për Shërbimin Publik, për denoncimin e ngacmimeve dhe agresioneve seksuale të manjatit të kinemasë, që zgjasnin prej dekadash.
Gjithashtu, “New York Times”, këtë herë bashkë me “Washington Post” kanë marrë çmimin për Raportimin Kombëtar, për shkrimet mbi ndërhyrjen ruse në procesin elektoral presidencial dhe për lidhjet e hetuesit të posaçëm të “Russiagate”, Robert Mueller me fushatën e presidentit Trump.
Juria ka vlerësuar faktin se dy gazetat kanë publikuar scoop-e për muaj të tërë lidhur me çështjen që ka shoqëruar vitin e parë të presidencës Trump dhe që kanë irrituar tej mase kreun e shtetit.
Ndërkohë, “Washington Post” ka marrë edhe çmimin e Investigimit, për denoncimin e rastit të kandidatit republikan për senator, Roy Moore, që kishte të bënte me ngacmime seksuale në dëm të femrave nën moshën e duhur.
Duke shpallur fituesit, administratorja e eventit Dana Canedy vuri në dukje se historitë e denoncuara tregojnë nevojën për një shtyp të lirë, edhe pse presidenti Trump rregullisht shfryn ndaj pushtetit të katërt me termin e tij të preferuar “fake news”. /abcnews.al