Gennaro Gattuso provoi emocione të forta që u përball me Milanin, klubin e tij të zemrës. Te kuqezinjtë kaloi vitet më të bukura si futbollist, teksa sezonin e kaluar e drejtoi skuadrën edhe si trajner. Trajneri i Napolit foli për Sky pas barazimit emocionues 2-2, duke lëshuar disa kritika për rastet e humbura nga djemtë e tij.
“Unë duhet të zemërohem me lojtarët e mi. Kur krijojmë kaq shumë raste, duhet ta plasim topin në rrjetë, por ne vuajmë për ta bërë këtë. Emocionet ishin të forta kundër Milanit. Ishte hera e parë që përballesha me një skuadër që më ka bërë burrë dhe një lojtar të rëndësishëm.
Penalltia? Duart janë të rëndësishme në lojën e futbollit, një lojtar nuk mund të luajë me duar pas shpine. Është sport tjetër, duhet parë mirë ky rregull, nuk mund të luajë kush me duar pas shpine. Diskutojmë prej dy vitesh në lidhje me këtë rregull, por asgjë nuk ka ndryshuar“, deklaron Gattuso. /abcnews.al