Interi e nisi shumë mirë sezonin, gjithmonë e bën një gjë të tillë, por më pas vjen rënia dhe kriza. Zikaltrit renditen në vend të katërt në Serie A dhe ndeshjet e fundit nuk kanë qenë aspak pozitive. Sonte luajnë përballë Torinos në “San Siro” (21:45) dhe djemtë e Antonio Contes duhet të rikthehen te fitorja.
Pozitat e trajnerit janë lëkundur disi dhe Paolo Di Canio përfiton ta sulmojë. Ish-sulmuesi i njohur italian, tashmë në rolin e opinionistit në Sky Sport, tregohet i ashpër dhe kritik me 50-vjeçarin.
“Antonio Conte vetëm qahet, këtë gjë ka bërë gjatë gjithë sezonit. Edhe pas humbjes me Dortmund në Champions League, u ankua për moshën e re të Interit. Ai e ka potencialin për t’i përcjellë mentalitetin fitues ekipit, por nuk do të befasohesha nëse drejtuesit nuk janë të kënaqur me të.
Edhe te Chelsea i ‘helmoi’ dhomat e zhveshjes pas vitit të parë. Tani duhet të fitojë Europa League me zikaltrit, përndryshe i bie që të ketë bërë minimumin. Kam pritur më shumë nga Interi, sidomos pas rifillimit të kampionatit.
Mos të harrojmë që Conte ka një tjetër ves të keq, nuk është gjë e mirë sulmi i vazhdueshëm që bën ndaj lojtarëve të tij. Kur arrihet fitorja, ata durojnë dhe presin, të rinjtë presin edhe më shumë. Kur mungon fitorja, lojtari fillon e lodhet“, deklaron Di Canio. /abcnews.al