Sormani me valixhet gati, Ilir Daja mbetet dëshira e madhe e Partizanit

schedule08:10 - 13 Korrik, 2020

schedule 08:10 - 13 Korrik, 2020

Partizani pritet të përfundojë sezonin pa trajnerin Sormani, ndërsa drejtuesit e klubit mendojnë që italiani të bëhet drejtues i Akademisë së klubit kryeqytetas. Skuadra është më e qetë pas goditjes nga koronavirusi, por ekziston zhgënjimi për mos arritjen e objektivave

Rastet pozitive dy ditë para ndeshjes me Tiranën ishin një goditje e fortë. Partizani as nuk e kishte imagjinuar se mund t’i ndodhte kështu në prag të derbit dhe tashmë mund të thuhet se është një klub tjetër pas infektimit të pjesshëm nga koronavirusi.

Pesë lojtarë të izoluar, sherre të brendshme, një trajner dhe një staf teknik që nuk i dalin për zot skuadrës dhe një ekip që përkundër gjithçkaje, luan një nga ndeshjet më të mira të sezonit, pikërisht ndaj Tiranës kryesuese.

Futbollistët ishin betuar që të jepnin shpirtin në fushë, sepse pikërisht derbi i humbur 1-2 në fund të vitit të kaluar sinjalizoi fillimin e krizës. E ardhmja e trajnerit Sormani duket e përcaktuar përfundimisht, ndonëse që më parë, klubi i kishte dhënë shenjat e ndryshimit.

Jo më kot, burime tek të kuqtë kanë bërë me dijë se vetë drejtori Olsi Rama ka kontaktuar me trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja, për ta bindur që të marrë përsipër detyrën e trajnerit të “Demave”.

Sormani, gjithsesi, nuk pritet të hidhet poshtë, pasi Partizani ka projekte të rëndësishëm me Akademinë dhe italiani vlerësohet si specialist shumë i mirë, pasi ka punuar me moshat tek Napoli dhe Juventusi.

Nuk dihet sesi do të merren vesh për rrogën, pasi trajneri ka një pagesë të lartë që, burime të ndryshme e japin të ndryshme, nga 5 000 deri në 15 000 euro në muaj.

Për fat të mirë gjendja në skuadër është më e qetë pas ndeshjes shumë të mirë në derbi, duke u lënë pas acarimet sidomos ndaj mbrojtësit rumun Boldor, i cili cilësohet si fajtor, pasi thuhet se e ka ditur që më parë se ka qenë me koronavirus.

Vetëm fakti se është i huaj e ka shpëtuar Boldorin nga ndonjë dhunim fizik, të paktën siç bëjnë me dijë njerëz të afërt me skuadrën. Përsa i përket drejtuesve, presidenti Demi ka qenë i bindur që ndeshja duhej të luhej, pavarësisht infektimit që ndodhi.

Jo vetëm kaq, por numri një i të kuqtë u ka thënë lojtarëve që mund të rrinë në shtëpi nëse tremben për shëndetin, por gjithsesi derbi do të luhej qoftë edhe me ekipin e të rinjve. Për momentin, Demi e Rama janë të kënaqur me Kalarin në stol, pasi ishte ndihmësi i Sormanit që bëri formacionin dhe motivoi ekipin.

Me gjasë, sezoni do të mbyllet me Kalarin, ndonëse drejtori Rama nuk dha shumë sqarime. Pengu më i madh tek të kuqtë mbetet fakti që shanset janë të pakta për kualifikimin në Europë, një kontrast i madh me sezonin e kaluar, kur u fitua titulli dhe pati pjesëmarrje në Champions. /abcnews.al