Olsi Rama, Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, pas derbit që të kuqtë e barazuan me Tiranën, ka folur për mediat dhe temat e prekura kanë qenë të shumta. Dëshira e tij ishte të fliste për atë që ndodhi në fushë që pa një ekip si Partizani që u paraqit mirë, edhe pse me mungesa të shumta. Sigurisht Rama nuk mund të shmangej kur bëhej fjalë për Adolfo Sormanin, apo edhe për tifozët e Tiranës që nuk ngurruan të ofendonin pas golit të barazimit, shënuar nga Muçi. Kjo nuk i ka pëlqyer atij, sikurse edhe ecuria e këtij sezoni që merr një notë mbetëse.
NDESHJA – “Do të kisha shumë dëshirë ta nisnim me ndeshjen, pasi kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Situata e krijuar në klub nuk ishte optimale. Na mungonin 7 lojtarë, ku 5 kanë dalë pozitiv me COVID-19. Ndeshja ishte përgatitur me tre prej futbollistëve të prekur dhe u detyruam më pas të ndryshonim planet. Njëherë kanë thënë se futbolli është sport burrash, sot luajnë dhe femra. Jam krenar për skuadrën, treguam se jemi burrërorë”.
SORMANI – “Secili ka parimet e veta në jetë. Sormani vjen nga Italia dhe mbase atje kanë kulturë tjetër. Partizani i ka ndjekur me rigorozitet të gjitha protokollet. Kemi bërë një testim para 10 ditësh. Një futbollist kishte temperaturë. E kemi mbajtur në karantinë, doli negativ. Bilali gjithashtu doli negativ. Jemi treguar ‘fair-play’. Nuk kërkuam për asnjë moment të shtyhej ndeshja. Kishim besim se dimë të luajmë futboll nga fillimi deri në fund. Kjo ka ndodhur këto ditë. Ne do të komunikojmë me stafin teknik. Ata janë trajnerë të Partizanit. S’e kam bërë kurrë trajnerin. U ula në pankinë me Gencin. Në këtë situatë të tillë, duhet të ruhemi, por nuk duhet të kesh frikë të vazhdosh jetën duke marrë masat.
QËNDRIMI NË STOL – “Unë e përjetoj ndeshjen njësoj si në stol, si në pankinë, si në shkallët e stadiumit. Sigurisht më vjen keq, sepse mendoj gjithmonë për djemtë që derdhin djersë dhe lodhen. Dalin nga fusha me dëmtime nëpër trup, me dhimbje. Mendoj se me të vërtetë e meritonin fitoren.
OFENDIMET E TIFOZËVE – “Një gjë tjetër që do të shtoja është se ne luanim në fushën tonë, por Tirana jashtë konceptit të “Fair-Play” kishte më shumë tifozë në stadium. Nuk mendoj që është e ndershme, që në një situatë të tillë të dëgjohen edhe të sharat, edhe ngacmimet ndaj lojtarëve. Për mua është e papranueshme”.
“Ne jemi organizatorët, por s’kemi asnjë gjë në dorë në organizim. Kishte edhe njerëz të Partizanit që ishin ftuar, brenda numrit të limituar që ne kemi. Asnjë më tepër. Kishte edhe gazetarë. Nuk e keni parë ndeshjen nga poshtë që të kishit konceptin tamam si ishte e rreshtuar tifozeria. Me vjen keq që nuk i dhamë dot kënaqësinë e fitores tifozëve të Partizanit. Megjithatë besoj se janë krenar që luftuam deri në fund”.
NOTA PËR SEZONIN – “Unë e them që tani që sezoni jonë nuk është i suksesshëm aspak. U nisëm me premisa të tjera dhe duhet të ishim në pozicion tjetër në renditje. Asgjë në jetë nuk mund të humbet. Edhe atje ku ti humbet mëson diçka. Shpresoj që këto eksperienca të na kenë mësuar më tepër, në mënyrë që në vitet e ardhshme të ndërtojmë gjërat në baza më të shëndosha dhe të jemi më të saktë.
SHERRI NË TUNEL DHE ALBAN HOXHA – “Nuk e di nëse e patë ndeshjen sot, çfarë koezioni kishin lojtarët, çfarë marrëdhënie kishin me njëri-tjetrin dhe si e ndanë çdo gjë. Kam një grup shumë të mirë lojtarësh. Nuk di gjë për sherrin. A do qëndrojë Alban Hoxha? Hoxha është akoma lojtar i Partizanit edhe dëshira e Hoxhës dhe klubit është që të vazhdojë me Partizanin”, ka përfunduar Rama. /abcnews.al