Në pjesën e dytë të “Provokacija” në Abc News mbrëmjen e kësaj të premteje ishte i ftuar piktori Gazmend Leka, për të folur për “ndarjen” e Shote Galicës nga bashkëshorti i saj Azemi.
Leka, gjatë bisedës me Mustafa Nanon shprehu shqetësimin e tij për gjendjen në të cilën është lënë varri i Shote Galicës në Fushë Krujë. Leka ka një lutje për autoritetet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë dhe ajo është që çifti Galica të bëhen sërish bashkë.
“Është një lutje ndaj autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë për të spostuar eshtrat e Shote Galicës që sot janë në Derven të Fushë Krujës, e për t’i çuar në Drenicë ku është edhe kompleksi funebër edhe i Azemit edhe i Shotës. Por varri i Azemit është plot me Azemin dhe ai i Shotës është bosh,” shprehet piktori.
Gazmend Leka tregoi gjithashtu sesi i lindi kureshtja për të parë varrin e Shotë Galicës dhe sesi u zhgënjye nga gjendja e mjerueshme e vendit ku ajo prehet.
“E gjeta në një gjendje, kjo është mirë, por dikur ka qenë e mbuluar me ferra. Po është një shoqatë me disa çuna të rinj e kanë pastruar,” tregon më tej Leka.
Duke insistuar që Shota duhet të dërgohet aty ku prehet Azemi, Leka sqaron se për ta bërë këtë nuk ka as kosto.
“Një amanet kurrë nuk vihet tek varri. Ti kur thua Shota thua Azemi dhe Shota, duke si një emër dhe një mbiemër. Njëlloj sikur të kujtosh Evën, do të kujtohet Adami… Ka disa çifte, Romeo dhe Zhuljeta. Këta kanë krijuar një çift që është shumë i fortë. Ky çift tani është i ndarë. Kanë ndenjur 12 vite maleve. Kjo ka bërë 40 beteja, ai mund të ketë bërë 60. Këta janë heronj të mëdhenj,” shprehet Leka.
Gazmend Leka sygjeron që spostimin e eshtrave të Shotes mund ta bëjë fare mirë Ramush Hardinaj, pasi ndër të tjerë sipas tij, ata të dy ngjajnë disi. /abcnews.al/