Balla: Mbështesim hapjen e listave, marrëveshja e 5 qershorit mbetet e paprekur

schedule13:09 - 10 Korrik, 2020

schedule 13:09 - 10 Korrik, 2020

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka deklaruar se marrëveshja e 5 qershorit do të mbetet e paprekur nga ndryshimet kushtetuese të miratuara ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve.

Balla tha se këto janë dy procese që ecin veçmas nga njëri-tjetri dhe kanë synim gjithpërfshirjen në vendimmarrje për të arritur në atë që kërkon shumica e popullit.

Ndalur këtu, Balla tha se PS mbështet në parim hapjen e listave, duke theksuar se ajo do të diksutohet pas miratimit të Kodit Zgjedhor.

“Ju jeni dëshmitarë të një dakordësie me opozitën parlamentare në Maj-Qershor 2019 për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe çështjet për hapjen e listave. Për këtë ne do të flasim pasi të kemi dakordësuar Kodin Zgjedhor. Ne do të flasim të fundit për këtë çështje. Koha shkoi përtej pritshmërive sepse synohej të mbyllej dhjetorin e kaluar.

 Në 5 qershor arritën dakordësi për infrastrukturën e zgjedhjeve. Nga ana e opozitës parlamentare është marrë një iniciativë. Sot në Komisionin e Ligjeve është bërë diskutimi në parim. Ne jemi dakord në parim me tre ndryshimet e propozuara. Sikurse edhe ne kemi bërë, na rezulton se shqiptarët duan të shprehin një votë jo vetëm për kryetarin por edhe për njërin prej kandidatëve të partive që marrin pjesë në zgjedhje.

Ndaj e mbështesim nismën e opozitës parlamentare. Partia Socialiste është gjithmonë refleksion e asaj që duan qytetarët shqiptarë. Një hapje e listave mund të garantojë edhe disa dimensione të rëndësishme. Unë dua të them se procesi i ndryshimeve kushtetuese ecën në mënyrë të pavarur nga Kodi Zgjedhor. Ajo që është dakordësuar në datën 5 qershor nuk do të preket. Me datë 15 korrik, Komisioni i Ligjeve do t’i diskutojë dhe nuk do të preket asnjë prej pikave. Janë dy procese që ecin në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, tha Balla./abcnews.al