Shqetësim për fëmijët në periudhën e verës mbeten virozat e stinës të cilat bashkëshoqërohen me temperature, të vjella apo diarre.
Mjekja pediatre Gjeorgjina Kuli në Spitalin Hygeia këshillon prindërit për këto problematika.
“Një temperaturë në shifra 38 apo 38.5 që tolerohet mirë nga fëmija, sigurisht që do të jepet shurupi i temperaturës dhe do të pritet.
Por ka situata të temperaturës që nuk mund të menaxhohen në kushtet e shtëpisë dhe në këto raste është mirë të drejtohen në qendrën më të afërt shëndetësore për të marrë ndihmën e parë. Fëmija nga temperatura, të vjellat apo diarreja humbet më shumë lëngje se të rriturit”, shprehet ajo.
Shqetësuese në sezonin e verës janë alergjitë nga pickimet e ndryshme si të bletës apo mushkonjave.
“Janë disa alergji që manifestohen me bllokime të frymëmarrjes. Në stinën e verës këto janë më të ekspozuar ndaj insekteve dhe mund të realizohet një situatë e tillë që shpreh jo vetëm vështirësi në frymëmarrje por edhe manifestimet me puçrra në lëkurë. Nëse shohim pika të kuqe që përhapen me shpejtësi në sytë tanë, duhet të drejtohemi në qendrën shëndetësore”, tregon ajo.
Pediatrja rekomandon dezinfektim të objekteve argëtuese të fëmijëve, si dhe i kujton prindërve e kujdestarëve që të bëjnë kujdes nga gëlltitja e lodrave.
“Gëlltitja e trupave të huaj, apo futja pa dashje në organet e frymëmarrjes. Ato në varësi të trupës, apo formës, materialit apo dhe e moshës së fëmijës japin klinika të ndryshme. Mund të japin bllokim, ku kthehet fëmija dhe provokohet nxjerrja e trupit, por mund të japin edhe shenja të ngadalshme”, sqaron pediatrja.