SHBA: Kemi prova për armët kimike në Siri

schedule22:57 - 13 Prill, 2018

schedule 22:57 - 13 Prill, 2018

Qeveria amerikane ka deklaruar të premten se zotëron prova të pakontestueshme që bëjnë përgjegjës presidentin Assad dhe regjimin e tij për sulmin me armë kimike në Duma të Sirisë. Ndërkohë, presidenti Trump nuk ka marrë ende një vendim për aksionet ushtarake.

Shtetet e Bashkuara kanë prova se sulmi me armë kimike në Siri është kryer nga qeveria siriane. Deklarata është bërë nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert. Sipas zëdhënëses, kampione të mbetjeve biologjike të rekuperuara në lokalitetin e Dumës janë gjetur gjurmë klorini dhe gazi nervor.

Deklarata e Nauert vjen pak orë pas asaj të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që ia vuri fajin shërbimeve sekrete të Britanisë së Madhe. Lavrov e quajti sulmin një farsë për të fajësuar Damaskun dhe për të justifikuar më pas ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit. Ndërkohë, pavarësisht paralajmërimeve presidenti Donald Trump nuk ka marrë ende një vendim në lidhje me aksionet ushtarake në Siri.

Lajmin e bëri të ditur ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, e cila megjithatë theksoi se, nëse Amerika dhe aleatët do të vendosin të veprojnë, ky veprim do të jetë në mbrojtje të parimeve të përbashkëta.

“Të gjitha vendet dhe të gjithë popujt do të ndihen të cënuar nëse lejojmë që Assad ta kthejë përdorimin e armëve kimike në një praktikë normale”, ka thënë Haley.

Mes zhvillimeve të tjera rezulton edhe një telefonatë mes Presidentit francez Emmanuel Macon dhe atij rus Vladimir Putin, që i kanë mëshuar uljes së tensioneve./abcnews.al