Kryeministri Edi Rama ka vizituar një fabrikë në Vaqarr që ka realizuar skemën e kërkuar nga qeveria të punësimit nëpërmjet zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Trinomi punëdhënës–Shërbimi Kombëtar i Punësimit-punëmarrës ka rezultuar i suksesshëm për këtë fabrikë të specializuar në prodhimin e sistemeve kabllore dhe të sistemeve elektromekanike në Vaqarr. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij përsëriti mbështetjen ndaj atyre që duan të kualifikohen në një profesion të caktuar.
Edi Rama: “Ajo që ne po bëjmë për të ndihmuar dhe për t’i dhënë efiçencë më të lartë skemës së nxitjes së punësimit, është të japim para, për çdo kënd që thotë, unë jam i gatshëm të punoj sepse nuk kam asnjë dituri ose aftësi. Ose kam një diplomë juridiku prej “Kristali”, ose kam një “Vitrinë”. Për këta, ne jemi të gatshëm t’i nxjerrim financiarisht”.
Gjithashtu kreu i qeverisë nënvizoi rritjen e kërkesave në arsimin profesional.
Edi Rama: “Po rritet shumë kërkesa për arsimim profesional dhe ndërkohë kapacitetet e infrastrukturës të arsimit profesional janë ngushtuar. Përpara katër vjetësh thuhej se nuk shkonte asnjeri për arsimin profesional se ishin farsë. Tani e kanë kuptuar se është rruga për t’u punësuar dhe faktikisht, ata që janë me trajtim profesional nga të dhënat që ne kemi nxjerrë kanë një probabilitet punësimi të barabartë me ata me shkollë të lartë dhe nuk diskutohet, më të lartë me ata që kanë arsim të mesëm të përgjithshëm. Kjo është sfida, që të rrisim kapacitetet”.
Kompania aplikon modelin e kualifikimit profesional përmes punës dhe trajnimeve brenda e jashtë vendit. Përfaqësuesi i kompanisë thotë se 60% e atyre që janë punësuar kanë qenë praktikantë që kanë kryer 2-3 muaj praktikën në fabrikë./abcnews.al