Sherif Kallaku po kalon një moment shumë të mirë, si në aspektin fizik dhe atë psikologjik. Goli i tij, i 14-ti për këtë sezon në Superiore, i dhuroi fitoren Teutës në “Niko Dovana” kundër Skënderbeut. 22-vjeçari foli pas ndeshjes për Supersport, duke ia dedikuar golin shokut të tij, Emiljano Vilës, i cili humbi babanë një ditë më parë.
DEDIKIMI – “Te goli mendova ditët e këqija që ndodhën para 2 vitesh kur isha te Laçi. Golin ia dedikoj babit te Emiljanos, i cili e shikon nga lart, ashtu siç më shikon edhe mua babai im. Të qëndrojë sa më i fortë dhe ta bëjë atë sa më krenar. U shfryva disi te goli. Ai nuk na la në baltë dhe erdhi luajti pas një dite tragjedie. Jam shumë i lumtur që edhe ne ia shpërbluam. Edhe në rast barazimi do t’i ishim borxhli”.
POZICIONI – “Jam më afër portës, kjo vjen edhe në bazë të eksperiencës. Është kampionati i tretë në Superiore. Ekipi më jep një shtysë të madhe që të shënoj. Shpresoj që në ndeshjet në vazhdim t’i shpërblej me sa më shumë gola. Shpresoj ta kem rregulluar shënjestrën avash-avash”.
E ARDHMJA – “Kam edhe disa ndeshje me Teutën. Dëshira ime është të shkoj në një kampionat sa më të fortë. Ajo më bën që të argëtohem në fushë. Nuk mendoj që do iki, por mendoj për ndeshjen e ardhshme. Fusha e lojës të çon në kampionat të fortë”. /abcnews.al