Koronavirusi shënon viktimën e dytë në radhët e bluzave të bardha në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ka ndërruar jetë mjeku i familjes dr. Hysni Shkjau 69-vjeç, i cili ishte shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë.
Gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi ditët e fundit, për shkak të probleme me frymëmarrjen, por edhe komplikacioneve prej sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Ai la pas një kontribut 40-vjeçar me misionin e mjekut, duke shërbyer në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës, edhe përgjatë periudhës së pandemisë.
“Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.
Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.
Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij.
Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim!”, njofton MSH.
Burime bëjnë me dije për ABC News se ai mund të ketë marrë koronavirusin nga një infermiere në qendrën shëndetësore ku punonte.
Pak ditë më parë u nda nga jeta një tjetër mjek. Arjan Pushi mjeku i Hematologjisë në QSUT mbylli sytë në moshën 58-vjeçare, pasi nuk mundi të fitonte betejën me Covid-19./abcnews.al