Në ditën ndërkombëtare për fëmijët në situatë rruge nuk munguan mesazhet nga institucionet qendrore dhe vendore për ti dhën zgjidhje kësaj pjese të shoqërisë. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh i kënaqur që Tirana ka treguar se është qyteti më solidar me njerëzit në nevojë.
Bashkia e Tiranës i dha zgjidhje, në një kohë të shkurtër, një problemi të mbartur prej më shumë se 28 vitesh. Kryebashkiaku Erion Veliaje ka fjalën për srehimin familjeve të komunitetit rom në Shkozë dhe Lanabregas.
“Mbaj mend 2 vjet e gjysmë më parë kur patëm shumë debate për komunitetet rome te Liqeni, te bregu i Lumit apo në Shkozë. Ja ku jemi sot, kemi rezidenca banesash në Shkozë, në Lanabregas, që do të thotë se kur fokusohemi te puna e jo te histeria, mund të bëjmë histori, mund të zgjidhim kriza që ndoshta kishin 27 apo 28 vite pa zgjidhur. Ky është një moment për t’u thënë të gjithëve bravo ju qoftë, por ama puna më e vështirë dhe më e madhe na pret përpara”, u shpreh ai.
Në ditën ndërkombëtare për fëmijët në situatë rruge, kreu i Bashkisë së Tiranës foli edhe për zgjidhje afatgjatë.
“Një shprehje anglisht thotë, duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë. Kjo do të thotë jo vetëm ministria, jo vetëm bashkia, jo vetëm OJF-të, jo vetëm qendrat sociale, por kushdo qytetar që shikon një fëmijë në situatë rruge ka misionin e qytetarit që ta raportojë. Nëse dikush mendon se duke i dhënë 20 lekë në semafor ka kryer detyrën e vet qytetare, në fakt sapo i ka vënë çmim jetës dhe çmimin e trafikimit të atij fëmije. Në disa raste situatat janë ekstreme, ku prindërit e këtyre fëmijëve na duhet t’i procedojmë edhe penalisht”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Aktivitetin e përshëndeti edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, i cili deklaroi se në një kohë që Shqipëria afrohet edhe më shumë me Bashkimin Evropian, duhet të tregohet një vëmendje e shtuar edhe për fëmijët në vështirësi.
“Shqipëria për shumë vite ka pasur një problem, një problem për të mbështetur fëmijët e saj në rrugë. Por ky është një problem që Shqipëria me mbështetjen e partnerëve duhet të jetë e aftë ta zgjidhë. Nuk keni 11 milionë fëmijë për t’u kujdesur, keni vetëm disa qindra. Vendi vazhdon t’i afrohet anëtarësimit në BE, shpresojmë që Shqipëria të mund të kujtojë fëmijët e saj. Ata kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, ata kanë të drejtë të mos jenë të uritur, ata kanë të drejtë të mbrohen nga abuzimi. Siç ma mësuan fëmijët e mi, jam gati të mbledh monedhat e mia për të mbështetur UNICEF-in dhe OJQ-të që mbështesin fëmijët e Shqipërisë. Shpresoj se do ta bëjmë bashkë këtë”, deklaroi Lu.
Përfaqësuesja e Delegacionit Europian në Shqipëri, Monika Bylate, vlerësoi nevojën për përmirësuar mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për edukimin dhe shëndetin e tyre./abcnews.al