Lu: Llalla gënjen, rrezikon të shkojë në burg

schedule22:45 - 11 Prill, 2018

schedule 22:45 - 11 Prill, 2018

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cilëson gënjeshtra absurde të zotit Adriatik Lalla pretendimet e tij se i kishte kërkuar arrestimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Në një prononcim për News 24 ambasadori Lu thotë se ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara.

Sipas ambasadorit Lu, nuk është për t’u habitur që Llalla vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi, sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.

“Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”, shprehet Lu.

Reagimi i ambasadorit Donald Lu erdhi pasi në portalin online të një të përditshmeje u publikua një letër e ish-Prokurorit të Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, dërguar Kongresit amerikan në maj 2017.

Llalla pretendon në letër se diplomati amerikan i ka kërkuar në vitin 2015 të arrestonte Ilir Metën, asokohe kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.

Sipas Llallës, Donald Lu, ia bëri këtë kërkesë gjatë një takimi të posaçëm të kërkuar prej ambasadorit për këtë qëllim.Ish-prokurori i Përgjithshëm shkruan se në këtë pikë, ai e ndërpreu takimin pasi kërkesa e ambasadorit iu duk e palogjikshme dhe e pabazuar në prova./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!