Paolo Maldini është një legjendë e gjallë e Milanit. Dikur lojtar, kapiten dhe fitues i shumë trofeve, mbi të gjithë pesë herë fitues i Champions League, ndërsa sot në rolin e drejtorit teknik. 52-vjeçari luajti gjatë gjithë jetës me ngjyrat kuqezi dhe tani po punon si drejtues në klubin e zemrës.
Megjithatë, e ardhmja me Milanin është në dyshim. Sezonin e ardhshëm do të ulet në stol Ralf Rangnick, i cili do të jetë më shumë se një trajner i thjeshtë. “Profesori”, siç e quajnë në Gjermani, do të ketë fuqi edhe në shumë vendime të klubit, sidomos në merkato.
Diçka e tillë zbeh pozicionin e Maldinit, i cili është në dilemë për të qëndruar apo për t’u larguar. Një emër si ai nuk mjaftohet me një pozicion ku nuk ka shumë mundësi për të marrë vendime. Bashkëjetesë e të dyve te Milani është e vështirë, por fundi i sezonit do të shuajë çdo dilemë. /abcnews.al