16:03: Fqinjët e Zhanetës tregojnë bisedat e fundit: I thashë policisë kam frikë se do na vënë flakën
U tretën, pa bukë e ujë pranë njëra-tjetrës, jo me ditë, por më javë dhe muaj… Vendosën të shkonin drejt vdekjes, per te pritur ringjalljen.
Zhaneta, Anisa e Blerta Josifi janë protagonistet e një prej ngjarjeve më horror të ndodhura në kryeqytet vitet e fundit.
Historia e familjes Josifi, ku një vajzë 30 vjeçare, trupi I se cilës u gjet ne shtëpi, në fazë dekompozimi, e nëna e saj e pajetë, ka tronditur opinionin publik. Shokun e kupton që në shkallët e pallatit…
Fqinja ngjitur familjes Josifi ka njoftuar edhe më herët policinë për sjelljet e pazakonta të tre anëtareve të familjes.
“Shkova në Komisariat, i thashë i kam në derë. Kush e di si e kanë hallin. Na vihet flaka. Kanë kaluar në depresion. Asnjëherë në tre vjet nuk e kam takuar”, shprehet ajo.
Varfëria u thellua ne këtë shtëpi gjatë pandemisë, pasi nëna dhe te bijat kanë qenë pa punë.
Jashtë kamerave, ai rrëfen se vajzën e vogël, Anisën, nuk e kishin parë prej më shumë se një viti, që në mars te 2019. Nëna e saj iu thoshte se do të dilte kur të mbaronin ditët e zotit, pa i lënë të kuptonin qartë se për çfarë ditësh të zeza po fliste për fatin e të bijave dhe të vetes.
Misteri i vetëflijimit Josifi pritet të zbardhet plotësisht nga ekspertiza mjeko-ligjore. Ata pritet të kenë shumë shpejt përgjigjet për shumë prej pikëpyetjeve që mbulojnë këtë histori, duke nisur që nga koha e vdekjes së Anisa Josifit dhe ajo e nënës së saj.
“I them Zhaneta ku e ke Anisën, tha ka vajtur në një vend. Mos ka ikur në Gjermani I thashë unë. Dy vjet pa dalë fare. I rashë derës. Ik më tha mos ta shoh bojën”, thotë një tjetër fqinje.
Familjarët ngrenë supet para kamerave “Kjo është një fatkeqësi”, shprehet kunati i Zhanetës.
15:59: Brenda shtëpisë së tragjedisë, policia gjeti Bibla dhe Anisën të mumifikuar
Detaje të tjera kanë dalë në pah nga tragjedia me dy të vdekur në Tiranë, ku nëna dhe vajzat kërkuan vetëflijimin për t’u ringjallur sipas mësimeve të një sekti fetar të krishterë.
Abcnews.al ka siguruar imazhe nga brenda njerës prej dhomave të shtëpisë ku Zhaneta dhe Anisa Josifi u gjetën të vdekura, ndërsa policia arriti të mbërrijë në kohë duke shpëtuar Blerta Josifin.
Në mur duken fotot e familjes Josifi, ku në krah të djathtë është ajo e Llukë Josifit, i cili ka ndërruar jetë duke u hedhur nga lartësia disa vitë më parë, ndërsa në të majtë Zhaneta me njerën nga vajzat në krah.
Policia e gjeti trupin e Anisa Josifit të dekompozuar dhe të mbuluar me batanije dhe jorganë, ndërsa në ambientet e shtëpisë kishte mjaft fletëpalosje me përmbajtje fetare si edhe Bibla.
Dyshohet se gratë janë indoktrinuar nga një sekt fetar i krishterë duke mbërritur në gjendje depresive, gjë e cila duket se ka sjellë edhe tragjedinë.
15:22: Vetëflijimi në Kombinat, nëna e vajzave dyshohet të ketë humbur jetën 2-3 ditët e fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Kombinatit ku një nënë bashkë me dy vajza të saj ishin izoluar në banesë me qëllim vetëflijimin.
Si pasojë e vendimit për të mos u ushqyer janë gjetur pa shenja jete Zhaneta Josifi, 56-vjeçe dhe vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe. Ndërsa vajza tjetër Blerta Josifi 34-vjeçe, u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë duke raportuar nga Morgu në Tiranë, gazetarja e Abc News Xhensila Kodra informon se nga këqyrja paraprake që u është bërë trupave, nuk rezulton të kenë pasur shenja dhune.
Po ashtu, raportohet se për një përgjigje zyrtare do të duhen edhe disa orë, por paraprakisht mendohet se vajza Anisa mund të ketë pasur 7 deri në 8 muaj që ishte ndarë nga jeta ndërsa nëna ka ndërruar jetë dy-tre ditët e fundit.
15:05: “Kam humbur familjen”: Flet vajza e mbijetuar e tragjedisë në Tiranë
Blerta është e vetmja e mbijetuar nga familja Josifi, të cilën e kanë ndjekur tragjeditë që prej vendit të origjinës, Përmeti.
Fillimisht vrau veten babai duke u hedhur nga pallati për shkak të problemeve ekonomike dhe pamundësisë për të furnizuar familjen me para sepse ishte invalid.
Në këto kushte, familja u transferua në Tiranë për një jetë më të mirë, por këtu janë indoktrinuar nga një organizatë fetare.
Burime nga policia bëjnë me dije për abcnews.al se Blerta Josifi është në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe gjendet e shtruar në Urgjencën e Psikiatrisë në QSUT, ndërsa mësohet se ajo është e vetëdijshme dhe reagon duke qarë vazhdimisht.
“Kam humbur familjen”, është shprehur ajo duke vijuar të qajë.
Zhaneta Josifi dhe motra e Blertës, Anisa u gjetën të vdekura brenda shtëpisë së tyre mbrëmjen e djeshme pasi vëllai i gruas njoftoi policinë sepse nuk kishte patur lidhje me to prej disa ditësh.
13:52: “I rashë derës, Zhaneta me tha zhduku…”: Fqinjet tregojne momentet e fundit me familjen Josifi
Për vetëflijimin e Zhaneta Josifit së bashku me të bijën, ngjarje që ka ndodhur në zonën e Kombinatit në Tiranë, e cila ka tronditur opinionin publik, kanë folur edhe fqinjët e saj, me të cilët ajo nuk ka folur për një kohë të gjatë.
Një prej tyre tha për ABC News se Zhaneta bashkë me vajzat, kishte dy vjet që nuk dilte nga shtëpia, madje edhe dyer dhe dritare i mbante mbyllur.
Fqinjët e saj thanë se kanë shkuar dhe kanë trokitur në derën e shtëpisë së të ndjerës, por ajo i ka ndjekur.
Po ashtu gruaja nuk pranonte as njerëzit e saj të afërt.
11:53: Familja e tragjedisë, tre vetëvrasje në pak vite: E fundit, horror
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet. Në banesën e tyre në zonën e Kombinatit, pa shenja jete janë gjetur nënë e bijë, ndërsa vajza tjetër ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore.
Nëna Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe kanë ndërruar jetë ndërsa Blerta Josifi u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Por, cila është historia e familjes Josifi, me origjinë nga Bënja e Përmetit, e cila numëron tre vetëvrasje.
Kryefamiljari Lluk Josifi i ka dhënë fund jetës në Përmet, ndërsa gruaja e tij Zhaneta dhe dy vajzat Anisa dhe Blerta disa vite më pas kësaj ngjarjeje u shpërngulën në Tiranë. Mësohet se familja nuk kishte lidhje me sektin fetar kur banonte në Permet, por më pas “tragjedia” i ndoqi në Tiranë.
Banorët në Përmet janë shprehur se janë shokuar nga lajmi pasi kanë qenë “shembullorë.”
Ndërkohë, ngjarja ka marrë përmasa akoma më tragjike pasi dyshohet se vajza kishte ndërruar jetë të paktën një vit më parë, ndërsa nëna dhe motra tjetër i lyenin trupin me vaj ulliri dhe uthull për të ngadalësuar procesin e dekompozimit duke pritur kështu ringjalljen e saj.
Ekspertët kanë konstatuar paraprakisht shenja mumifikimi në trup për shkak të vajit të ullirit dhe uthullës, ndërsa fillimisht ajo ishte mbështjellë me çarçafë.
10:13: “Anisa nuk del se s’ka plotësuar ditët e Zotit”: Dëshmia tronditëse nga tragjedia në Tiranë
Kunati i Zhaneta Josifit ka folur për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Ai është shprehur për “ABC News” se kishte kohë që nuk i shihte vajzat e së motrës.
Sipas tij nëna dhe vajza mund të jenë rekrutuar, ndërsa është shprehur se kanë mbetur të shokuar nga ngjarja.
“Kisha kohë që nuk i shihja. I shkova në shtëpi, kërkova Anisën dhe më thanë nuk e lemë të dali se nuk ka bërë ditët e zotit. Anisën kisha që në mars të 2019 që nuk e shikoja fare.
I kam folur dhe për punën e fesë, por me urrenin. Në fillim janë rekrutuar në Përmet pastaj librat i kanë marrë tek një qendër tek “Selvia”. Dy javë më parë shkova të takoja posaçërisht Anisën, por nuk më lejuan. Më ndaluan tek dera. Ato nuk ushqeheshin”, ka treguar ai.
10:04: E ëma dhe e motra u vetëflijuan për “t’u ringjallur”, 34-vjeçarja dërgohet tek Urgjenca Psikiatrike
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë. Nënë e bijë u gjetën të pajeta në banesën e tyre, ndërsa vajza tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Tashmë mësohet se 34-vjeçarja Blerta Josifi është dërguar ditën e djeshme në urgjencën e QSUT-së ku i janë kryer të gjitha kontrollet. Më pas ajo është transferuar tek Urgjenca Psikiatrike ndërsa aktualisht gjendja e saj mësohet të jetë më e qetë.
Kujtojmë këtu se mbrëmjen e së enjtes, pa shenja jete u gjet nëna Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe. Ndërsa vajza tjetër Blerta Josifi u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Familja Josifi prej 8 vitesh kishin blerë shtëpi në kryeqytet. Ndërkohë gjatë pandemisë ata janë ndihmuar nga Bashkia dhe banorët me ushqime. Një i afërm ka marrë në telefon për ta lajmëruar së xhaxhai i tyre ka ndërruar jetë, por nuk i është përgjigjur asnjë nga familja Josifi.
Ky ka qenë momenti që ka alarmuar të afërmit të cilët kanë shkuar në banesë dhe kanë konstatuar trupat e pajetë.
02 Korrik/ 22:54- E gjithë familja me sektin fetar të krishterë, babai i vajzave kishte themeluar bashkësinë në Përmet
Bashkëshorti i Zhaneta Josifit, njëkohësisht babai i vajzës që u gjet gjysmë e dekompozuar kishte ndërruar jetë pesë vite më parë.
Mësohet se ashtu si vajzat dhe bashkëshortja edhe ai kishte qenë predikuesi i një sekti fetar të krishterë, ndonëse kishte profesion mësues.
Ai njihej si themelues i kësaj bashkësie në qytetin e Përmetit. Pas vdekjes së tij bashkëshortja dhe vajzat e tij ishin transferuar në zonën e Kombinatit.
Përgjatë dy viteve të fundit, ato ishin veçuar nga komuniteti përreth duke qëndruar të izoluara.
Anisa Josifi, 30-vjeç është gjetur gjysëm e dekompozuar, ndërsa nëna me motrën e saj e kishin lyer me vaj dhe uthull që të mos përhapej era e keqe.
Drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi u shpreh se në trupin e tyre nuk janë gjetur shenja dhune por ato kishin qëndruar pa ushqyer.
02 Korrik/ 22:41-U gjet gjallë, dëshmia tronditëse e vajzës: Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen
Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Nënë e bijë u gjetën të pajeta, ndërsa vajza tjetër në gjendje të rëndë.
Pa shenja jete u gjetën nëna Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe. Ndërsa vajza tjetër Blerta Josifi 34 vjeçe, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, tronditëse është dëshmia e vajzës 34-vjeçare e cila u gjet në gjendje të rënda, pasi zjarrfikësit u futën në banesë.
Gazetarja Xhensila Kodra bën të ditur për abcnews.al se mësohet se ajo t’u ketë thënë ekspertëve: “Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen”.
Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se ekspertët i gjetën viktimat të lyer me vaj e uthull e gjëra të lëngshme.
02 Korrik/ 22:31- Kjo është banesa ku u gjetën të vetëflijuara nënë e bijë, ishin lyer me vaj e uthull
ABC News ka qenë pranë shtëpisë ku nënë e bijë u vetëflijuan në distancë kohore disa javëshe nga njëra-tjetra. Ata mbanin perdet të mbyllura duke penguar kështu pamjen nga banesat përreth.
Zhaneta Josifi dhe vajza e saj Anisa u gjetën pa shenja jete, ndërsa motra e saj Blerta është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshohet se Anisa kishte vdekur para disa javësh, pasi trupi i saj u gjet i dekompozuar dhe i mbuluar me batanije.
Fqinjët kanë treguar për mikrofonin e ABC News se vajzat dhe nëna e tyre kishin qëndruar të izoluara përgjatë kohëve të fundit, duke mos pranuar të kishin kontakt me njeri.
Burime për gazetaren Xhensila Kodra bëjnë me dije se në momentin që kanë mbërritur ekspertët, kanë gjetur viktimat të lyera me vaj e uthull dhe gjëra të tjera të lëngshme. Dyshohet se ata e kishin lyer trupin e të ndjerës për të mos lejuar përhapjen e erës në banesat ngjitur.
02 Korrik/ 22:18- Nënë e bijë u vetëflijuan, fqinja: Ishin izoluar prej dy vitesh, zonja e shtëpisë ishte dobësuar
Një tjetër fqinje e familjes ku u vetëflijuan nënë e bijë, teksa trupi i saj ishte dekompozuar, ka treguar për mediat se ato kishin rreth dy vite që qëndronin të mbyllura pa mbajtur komunikime me njeri.
Ajo tha se rasti ishte bërë problem duke bërë që policia të vinte për të parë gjendjen e tyre, por ata kanë thënë se janë mirë por po qëndrojnë në shtëpi për disa punë të tyre.
Fqinja deklaroi se nuk i kishte parë prej 10 ditësh që kur punonjësit e bashkisë erdhën në shtëpinë e tyre për t’i dhuruar ndihma.
Atë ditë ajo tha se ka vënë re se Zhaneta Josifi, nëna e dy vajzave ishte dobësuar shumë.
“Ka qenë një familje model dhe gjynah që patën një fund të hidhur. Ishte një grua e shkëlyer me vajza yë shkolluara. Ata kanë punuar. Por nuk e di pse u mbyllën brenda. Kanë qëndruar mbi dy vite brenda. Motra vinte e vizitonte, herët e fundit nuk i përgjigjej dhe nuk i hapte derën.
Unë jam interesuar edhe me bashkimë. I kanë sjellë ndihma. Nuk e di si përfunduan kaq keq. Kanë një motër, herë i dilte, herë nuk i dilte, Njëherë erdhi edhe policia. Ajo doli dhe tha që kemi disa punë tonat. Para tre javësh ka ardhur policia. Ka rreth 10 ditë qe erdhën ndihma. I thamë ne që duhet të marrësh. I tham të fillonin punë. Anisën nuk e kam parë prej dy vitesh.
Zhaneta para pandemisë punonte në një familje. Pastaj u mbyll brenda. Ishte dobësuar shumë. Nuk e di pse u mbyllën në vetvete. Nuk mund të them dot se ishte për shkak të fesë. Që kur erdhi bashkia nuk i kam parë fare. Ato nuk lëviznin. Nuk dëgjoheshin, as bënin lëvizje. Vajza nuk m’u duk në gjendjet ë keqe. E ëma ishte dobësuar shumë”, tha fqinja.
02 Korrik/ 08:44- Nënë e bijë vetëvriten për “tu ringjallur”, si u gjetën pajetë brenda banesës
Detaje tronditëse janë mësuar nga ngjarja e rëndë që kanë ndodhur pasditen e sotmen në zonën e Kombinatit në Tiranë ku nënë e bijë u gjetën pajetë në banesë.
Burime zyrtare për gazetaren Xhensila Kodra bëjnë me dije se ato ndiqnin një sekt fetar të krishterë.
Dyshohet se vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe mund të ketë ndërruar jetë disa javë më parë, ndërsa nëna Zhaneta Josifi, 56 vjeçe mund të jetë vetëflijuar ditën e sotme.
Nga ana tjetër vajza tjetër Blerta Josifi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar në spital.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Nënë e bijë u gjetën të pajeta në banesën e tyre, ndërsa vajza tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
“ABC News” sjell pamjet e vendit nga ku policia ka mundur që të futet në banesë. Nga pamjet e siguruara shihet se policia ka hyrë nga dritarja, si e vetmja mundësi, për tu futur në banesë.
Gazetarja Xhensila Kodra tha për abcnews.al se ekspertët që kanë bërë këqyrjen e trupave të pajetë, kanë zbuluar se trupi i vajzës 34-vjeçares ka qenë në dhomën e saj të gjumit dhe sipër saj ishin vendosur mbulesa.
Familja Josifi prej 8 vitesh kishin blerë shtëpi në kryeqytet. Ndërkohë gjatë pandemisë ata janë ndihmuar nga Bashkia dhe banorët me ushqime.
Gjithashtu mësohet se i vëllai e ka marrë në telefon për ta lajmëruar së xhaxhai i tyre ka ndërruar jetë, por nuk i është përgjigjur asnjë nga familja Josifi.
02 Korrik/ 20:36- I vëllai njoftoi policinë: Si u gjetën pa jetë nënë e bijë, rëndë vajza tjetër
Policia ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku nënë e bijë u gjetën pajetë në banesën e tyre në Kombinat.
Blutë bëjnë me dije se shtetasi S.F ka njoftuar policinë se motra nuk i përgjigjej në telefon.
Në banesë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikses dhe pasi kanë hapur derën, kanë gjetur pa shenja jete nënën Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe. Ndërsa vajza tjetër Blerta Josifi 34 vjeçe, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 02.07.2020, shtetasi S.F, ka njoftuar në Komisariatin e Policisë nr 6 se në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, motra e tij nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk i hapte derën e banesës.
Në banesë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses dhe pasi kanë hapur derën, kanë gjetur pa shenja jete shtetasen ZH.J., 56 vjeçe dhe vajzën e saj A.J., 30 vjeçe, ndersa vajza tjetër B.J, rreth 34 vjeçe, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shendetësore.
Paraprakisht nga veprimet e para hetimore dyshohet se janë vetëflijuar.
Grupi hetimor i përbërë dhe nga dy ekspertë të mjekësisë ligjore ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes .
02 Korrik/ 20:24- Gjenden pa jetë në banesë nënë e bijë në Tiranë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Nënë e bijë janë gjetur pa jetë në banesën e tyre.
Gazetarja Xhensila Kodra bën të ditur për abcnews.al se ngjarja ka ndodhur në një banesë pranë shkollës “Myslim Keta”. Nga të dhënat paraprake dyshohet që nënë e bijë mund të jenë vetëflijuar. Ndërkohë shkaqet që i kanë çuar të marrin këtë vendim janë ende mister.
/abcnews.al