Të bashkëpandehurit e Emiliano Shullazit tek Krimet e Rënda i thanë gjykatës se ishin futur në grackë nga biznesmeni, Ylvi Beqja. Për të provuar pretendimet e tyre, ata kërkuan marrjen e hyrje-daljeve te Beqes nga sistemi TIMS për Nëntor-Dhjetor 2014 dhe dërgimin e një letërporosie në Malin e Zi. Kërkesat u rrëzuan nga gjykata.
Të bashkëpandehurit e Emiliano Shullazit tek Krimet e Rënda pretenduan se ishin mashtruar nga biznesmeni që i kallëzoi për gjobëvënie, dëshmitari i mbrojtur në proces, Ylvi Beqja. Sipas avokatit të Gilmando Danit dhe Endrit Zelës, gjatë muajve Nëntor-Dhjetor 2014, Ylvi Beqja ka përdorur Danin dhe Zelën për të lëvruar disa çeqe në shuma të konsiderueshme nga llogaria bankare e shoqërisë “Saudi Brothers”, para që ai i ka nxjerrë në formë “cash” jashtë vendit.
Avokati Denion Bogdani, identifikoi pesë raste të ndodhura në harkun kohor Nëntor – Dhjetor 2014, kur në të njëjtën ditë përmes të pandehurve Dani e Zela apo shoferit të tij, biznesmeni Beqja kishte njerrë shuma që varionin nga 6 deri në 80 mijë euro.
Duke iu referuar të dhënave të siguruar nga sistemi TIMS, avokati tha se në të njëjtën ditë biznesmeni ka udhëtuar me traget drejt Italisë, ose në rrugë tokësore për në Malin e Zi. Në të gjithë këto raste, ai ishte kthyer në Shqipëri 24 orë më vonë, ose në të njëjtën ditë, siç ishte rasti i 5 Dhjetorit 2014, ku Beqja rezultonte se kishte qëndruar vetëm 4 orë në Malin e Zi.
“Ylvi Beqja i ka nxjerrë këto para jashtë vendit për llogari të veprimtarive të tij të jashtëligjshme. Jo më kot ai ka zgjedhur pikëkalimet portuale apo tokësore dhe jo aeroportin e Rinasit, ku kontrollet janë më të rrepta kundrejt shumave të parave cash”, tha avokati.
Për këtë shkak, avokati i kërkoi gjykatës të merrtë si provë në formën e kërkuar nga ligjit të dhënat e sistemit TIMS. Gjithashtu, mbrojtësit kërkuan dërgimin e një letërporosie drejtësisë malazeze, për të mësuar nëse Ylvi Beqja zotëron llogari bankare apo pasuri të luajtshme a të paluajtshme në këtë shtet.
Kërkesat nuk u mirëpritën nga prokurorët dhe më tej as nga ana e trupit gjykues, i cili vendosi rrëzimin e tyre. Procesi gjyqësor ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të akuzuar për “gjobëvënie” dhe “grup të strukturuar kriminal” është pranë fundit. /abcnews.al