Rastet me koronavirus mund të arrijnë deri në 100 mijë në ditë në SHBA nëse amerikanët nuk do të nisin të ndjekin udhëzimet për shëndetin publiK. Deklarata u bë nga virologu Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në vend, gjatë një seance në senatin amerikan për rihapjen e shkollave dhe vendeve të punës.
Pyetjes nëse mund të parashikonte se çfarë do ndodhë në shtetet amerikane që kanë shënuar rritje rastesh ditët e fundit, Fauci u përgjigj duke thënë se situate do të jetë shumë e rëndë.
Duke pranuar se ishte shumë i shqetësuar ai tha se zonat të cilat kanë regjistruar vatra të reja infeksioni këto ditë rrezikojnë të gjithë vendin, ai tha se ka parë shumë filmime në të cilat njerëzit nuk respektojnë distancat, shpesh lëvizin pa maska dhe injorojnë udhëzimet e autoriteteve shëndetësore.
Një alarm që nuk ndihmon aspak në ditën kur SHBA-të janë të përjashtuara nga lista e vendeve nga të cilat udhëtarët mund të hyjnë sërish në Europë. Një shuplakë që i djeg Donald Trump i cili mendon se Europa po merr hak për vendimin e Shtëpisë së Bardhë në muajin mars, që nuk lejonte ardhjen e europianëve në territorin amerikan.
Nga ana tjetër kandidati demokrat për zgjedhjet presidencialel Joe Biden u shpreh se nuk do të organizojë takime elektorale për shkak të pandemisë së koronavirus duke e cilësuar këtë si fushatën elektorale më të pazakontë të historisë moderne./abcnews.al