Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar akuza të forta lidhur me sulmin me armë kimike në Gutën Lindore në Siri. Me anë të një mesazhi në tuitër, ai i drejtohet presidentit Rus në emër dhe fyen liderin Bashar Al-Assad. “Shumë viktima, përfshirë femra dhe fëmijë, në sulmi kimik të pamenduar në Siri. Zona e mizorive është bllokuar dhe rrethohet nga Ushtria Siriane, duke e bërë atë plotësisht të paarritshme për botën e jashtme. President Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjëse pasi mbështesin kafshën Assad”, shkruan Trump në tuiter.
Ndërsa më tej nënvizon se ky është një çmim shumë i madh për tu paguar. Gjithashtu kërkon hapjen e menjëhershme të zonës për ndihmën mjekësore dhe verifikimin. “Tjetër fatkeqësi humanitare pa ndonjë arsye”, është komenti i presidentit amerikan i cili ka dhe një kritikë shumë të ashpër për paraardhësin e tij.
“Nëse presidenti Obama do të kishte kaluar linjën e tij të kuqe, masakra Siriane do të kishte përfunduar me kohë! Kafsha Assad do të ishte tani vetëm histori!”, vijon mesazhin e tij kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, më herët edhe Departamenti Amerikan i Shtetit drejtoi gishtin nga Kremlini. “Rusia me mbështetjen e palëkundur të saj për qeverinë e Sirisë përfundimisht mban përgjegjësi për sulmet e supozuara. Historia e regjimit që përdorë armë kimike kundër popullit të saj është e papranueshme”, shkruhet në një deklaratë të DASH. /abcnews.al