Kylian Mbappe është një fenomen në fushën e blertë. Vetëm 21-vjeç, por sulmuesi i PSG ka fituar disa trofe, mes tyre edhe një Kupë Bote si protagonist. Francezi i talentuar flet për L’Equipe për Gianluigi Buffon dhe Lassana Diarra.
Me të dy ka luajtur te PSG dhe ka mësuar shumë prej tyre. Portieri italian ishte pjesë e kampionëve të Francës sezonin e kaluar. Aventura e tij te PSG zgjati vetëm një vit dhe më pas u rikthye te Juventusi, largim të cilin Mbappe nuk e priti mirë.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të dëgjoj futbollistët me më shumë përvojë. Buffon ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Largimi i tij ka ndikuar negativisht tek unë“, deklaron Mbappe, i cili ka pasur një raport fantastik edhe me Lassana Diarra.
“Lass ishte si vëllai im i madh, tek i cili mund të mbështetesha gjithmonë. Më fliste shpesh për karrierën e tij, klubet ku ka luajtur dhe gabimet që ka bërë. Më këshillonte dhe më ndihmonte në momentet e vështira.
Ai e njeh nivelin e lartë të futbollit dhe di çfarë flet. Është larguar shumë i ri nga shtëpia dhe ka luajtur me shumë klube të ndryshme. Ai rrëfehej tek unë, ishte shumë i respektuar në dhomat e zhveshjes, edhe pse njerëzit flasin pak për të“, deklaron Mbappe. /abcnews.al