Në prag të sezonit turistik, ministri i Mjedisit dhe Turizmit ka biseduar me përfaqësuses të pushtetit vendor për problematikat e zonave bregdetare. Blendi Klosi kërkoi kujdes për pajisjen e plazheve me roje bregdetare dhe përcaktimin e distancave për mjetet lundruese. Ndërkohe bëri të ditur se po përgatitet paketa fiskale për të nxitur agroturizmin.
Brenda muajit Prill, qeveria do të ketë gati paketën fiskale për të nxitur zhvillimin e agroturizmit. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.
Në forumin për planet lokale të turizmit dhe rolin e bashkive, ministri iu kërkoi kryebashkiakeve të identifikojnë zonat ku mund të zhvillohet agroturizmi, por edhe ku mund të organizohen festa tradicionale me qëllim rritjen e numrit të turistëve.
Përcaktimi i vendeve ku mund të luhet muzikë gjatë gjithë natës, pastrimi i plazheve, pajisja e tyre me roje bregdetare si dhe vendosja e distancave për lëvizjen e mjeteve lundruese në det ishin të tjera çështje që ministri i Mjedisit dhe Turizmit ndau me të zgjedhurit vendorë.
Ndërkohë ministri Klosi ndau me kryebashkiakët edhe projektin “1 buzëqeshje”. Ai parashikon trajnimin e nxënësve të shkollave profesionale dhe shpërndarjen e tyre në pikat kufitare dhe ato turistike për t’i treguar turistëve vlerat e zonës./abcnews.al